Trajneri i parë italian tregon Strakoshën, emblema e “mos u dorëzo kurrë”

“Thomas mbërrite i pari, edhe para magazinierëve! Priste i vetëm, te kangjellat rrethuese të fushës. Më pas, palestër, stërvitje, drekë. Më pas, stërvitje me shokët dhe direkt në palestër. Në orën 8, gjumë, në 9 të mëngjesit në fushë”. Karakter dhe inteligjencë: “Ishte i tillë edhe gjatë darkave me shokët, trajnerin dhe stafin. I thoshte trajnerit që do qëndronte deri në 8 të darkës, sepse më pas duhej të largohej, për të qenë gati për stërvitje mëngjesin tjetër”.

Trajneri i parë i Thomas Strakoshës në Itali (për dy vite), Kristian Ferrante, tregon Thomas Strakoshën duke folur për Gianlucadimarzio.com. Një kthim pas në kohë: është viti 2012 dhe Lacio merr në provë një të ri si shumë të tjerë, ende fëmijë, në eksperiencën e parë larg familjes. “Kishte të dhëna të mira fizike, por shumë vështirësi në aspektin teknik dhe emotiv. Për Igli Taren ishte si djali i vet, më tha ta vlerësoja me kujdes. Ishte mik me Foto Strakoshën, por në atë kohë u prit paksa me mosbesim”, tregon Ferrante, i cili tashmë lavdëron Lacion dhe Strakoshën, triumfues në Torino ndaj Juves, me 11-metërsh të pritur ndaj Dibalas: “Është kryevepra e Lacios dhe Inzagit, por edhe përgatitësit të portierëve Grixhoni”.

FILLIMI – “Ishte e vështirë, kishim portierë të nivelit të lartë. Megjithatë, vendosëm ta mbanim, pas bisedës me Taren. Strakosha qëndroi sepse punonte jashtëzakonisht shumë, kjo më bindi ta merrja. Kishte dëshirë t’i tregonte vetes dhe të atit se mund të shkonte larg. Mënyra e vetme ishte të punonte”, shpjegon Ferrante.

“Jetonte në Formelo dhe mbërrinte i pari në stërvitje, aq sa pas pak kohësh i dhamë çelësat e qendrës stërvitore, që të stërvitej edhe i vetëm. Me mua stërvitej dy orë në mëngjes, më pas shkonte në shkollë dhe sërish kthehej në fushë. Pas stërvitjes me grupin, gjithnjë më kërkonte të vazhdonim stërvitjen. Stërvitej 8 orë në ditë dhe kishte uri për të arritur aty ku ëndërronte, ndaj një i tillë duhej marrë patjetër!”.

RRUGA DREJT MAJËS – Punë pa fund, nga titulli kampion me të rinjtë në vitin 2013, ose te Kupa e Italisë me Simone Inzagin, deri te vendi si titullar te Lacio: “U prit me mosbesim, por kishte një konstrukt shumë të mirë dhe besim të madh në vetvete. Në gabimet e para qante, dëshpërohej, përjetonte keq çdo gabim të vogël. Ai është i tillë, tip i mbyllur në vetvete, aq i zellshëm dhe i përkushtuar në punën e tij, saqë tani njeh në mënyrë perfekte çdo kundërshtar, edhe penalltitë e Dibalas”, rrëfen Ferrante, i cili veçon pikën e fortë të Thomasit: “Përulësia! Është meritë e familjes, babai i tij është një mit në Shqipëri. Mund të kthehej në një barrë, por është bërë cilësia më e mirë e Thomasit, i cili tashmë është një futbollist i kompletuar”. Rruga drejt majës nuk është e lehtë: “Inzagi u tregua shumë i zoti për ta kthyer në një lider, Strakosha e ka shpërblyer duke u bërë një lojtar i besueshëm dhe duke fituar trofe. Më pas shkoi në Salerno dhe hasi në disa vështirësi ambientimi, por është kthyer Thomasi i vjetër. Është një lojtar që ka nevojë për kohë që të ambientohet, edhe te Lacio ashtu ndodhi. Tare e njeh mirë, e kanë përfshirë gradualisht në skuadrën e parë dhe tashmë është top-player. Ka një qetësi të admirueshme”.

Përqendrim maksimal: “Në ndeshje është gjithnjë mjaft i kthjellët, mjafton të shohësh pritjen ndaj Higuainit në Torino. Për mua është si fëmija im, kemi kaluar kaq shumë kohë bashkë, vetëm, mëngjeseve. Dëshironte të bëhej dikush, të habiste, të mbërrinte në majë. Kemi mbetur shumë të lidhur, është një shembull për të gjithë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *