Trajneri i Holandës ka kontaktuar me secilin prej lojtarëve që nuk janë në listën përfundimtare të Botërorit për të shpjeguar me detaje vendimin e tij. Louis van Gaal vendosi të bëjë një video-telefonatë me lojtarët për të cilët nuk ka vend në aeroplanin për në Katar.
“Nuk është e lehtë të lëmë jashtë lojtarë të tillë”, ka shpjeguar Van Gaal në daljen e tij para mediave në të cilën iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve pas shpalljes së ftesave për Kupën e Botës. “Këtë mëngjes kalova një orë e 45 minuta duke i informuar të gjithë lojtarët përmes Face Time.
Ishte një punë e vështirë, ju siguroj. Kam marrë parasysh edhe faktin që kemi lojtarë nga Anglia. Dallimi është një orë, por unë ende pashë lojtarë të zhveshur sepse ata ishin ende në shtrat ose thjesht sa u ngritën,” shpjegoi Van Gaal.
Më pas trajneri është pyetur për emrat e atyre lojtarëve. “Është shumë joshëse të pyesësh se cilët futbollistë ke parë të zhveshur, por mendoj se duhet ta injorojmë këtë, apo jo?”, e pyeti një nga gazetarët në sallën e shtypit. “Unë mendoj kështu”, u përgjigj Van Gaal. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/