Trajneri i Erzenit është kundër idesë së Armando Cungut: Nuk i humbi Laçi, por i humbëm ne 2 pikët sot

Vetëm pak minuta më parë është mbyllur ndeshja mes Erzenit dhe Laçit në Superiore. Kjo ndeshje ka përfunduar në shifrat 0-0. Pavarësisht dëshirës së dy ekipeve për të arritur te fitorja, në fund është marrë një rezultat që nuk i shërben askujt.

Në fakt, i shërben një të treti, Teutës. Durrsakët ndodhen në vendin e 8, në zonën e Play Off, vetëm 3 pikë larg Laçit të vendit të 7, por me dy ndeshje më shumë për të luajtur. Ndërkohë Erzeni ndodhet në vendin e 9 me një pikë më pak se Teuta. Në këtë situatë të renditjes, Teuta ka mundësinë e artë për të përfituar nga ky barazim dhe për të shpëtuar veten. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në MCN TV:

Deliallisi: “Kishim shumë presion. Nëse do të pësonim gol, do të ishte malore për ne. Laci kishte ardhur për të marrë një pikë. Në 20 minutat e fundit kishim më shumë mundësi për të shënuar, ishte një ndeshje me pak episode. Laci u mundua gjatë gjithë kohës që të ishte poshtë linjës së topit, na detyroi që të luanim avash. Unë mendoj se ishte Erzeni që la dy pikë sot dhe jo Laçi. Rastin më të pastër e kishim ne me Mihanën në fund.

Cungu: “Për mua bëmë një ndeshje më të mirë se kundërshtari, vecanërisht në pjesën e parë. Megjithatë mund ta quaj pozitive lojën, reagimin e lojtarëve në krahasimim me dy ndeshjet e tjera. Na duheshin tre pikët, i kishim si oksigjen ato tre pikë, por duhet të vazhdojmë përpara. Unë mendoj se sot humbëm edhe 2 pikë të tjera, duhej të shënonim me mundësitë që krijuam. Djemtë kanë filluar që të përmirësohen dhe ky pushimi i Kombëtares do të na bëjë më mirë për t’u kuptuar me njëri-tjetrin. Nëse do të kisha një sulmues tjetër, do ta kishte hedhur në fushë”.