Partizani do të luajë testin e parë dhe të vetëm miqësor ditën e sotme me ekipin e Makedonija. Takimi do të luhet prej orës 14:00 në stadiumin “SRC Biljanini Izvori”, të Ohrit. Trajneri Skënder Gega do të ketë mundësinë të shohë se sa është rritur ekipi në fazën përgatitore që po zhvillon.
Numri një i stolit do të shohë dhe 2-3 lojtarët që janë ende në provë te “demat” dhe do të marrë dhe vendimin përfundimtar për ta. Bëhet fjalë për elementë të rinj dhe gjasat që të qëndrojnë janë të vogla. Miqësorja e sotme do të tregojë dhe më shumë në lidhje me të ardhmen e tyre.
Pas miqësores, ekipi i Partizanit do të bëhet gati për të lënë qytetin e Ohrit, pasi do të rikthehet në Shqipëri për të përgatitur ndeshjen kundër Mariborit në Europa League. Deri tani, të kuqtë nuk kanë bërë asnjë afrim me shumë cilësi, përjashto Hilën që ka eksperiencë në Superiore.