Fundi i sezonit ka rezultuar ashtu si pritej për Tiranën: kthim në Superiore, pa ndonjë lodhje të madhe, pasi dihet hendeku me rivalët në cilësi. Megjithatë, mbetet pezull e ardhmja e trajnerit Ze Maria, i cili është ende pa kontratë për sezonin e ardhshëm dhe në klubin bardheblu po mendohen mirë.
Braziliani kërkon një kontratë të rëndësishme, por kërkon edhe përforcime cilësore, sepse dëshiron një ekip të kompletuar për të tentuar vendet e kreut.
Gjithsesi, kostoja, por edhe dështimet në merkato këtë sezon, shqetësojnë Tiranën, pa harruar ankesat e shpeshta të Ze Marisë dhe mosmarrëveshjet me disa lojtarë, duke pasur disa debate të brendshme.
Për pasojë, Tirana po sheh edhe për alternativat, të paktën deri në maj, kur të marrë vendimin final. Emra ka shumë, por nuk është e lehtë të vendoset. Trajner tjetër të huaj te Tirana nuk e kanë në plan, për shumë arsye, ndaj ose qëndron Ze Maria, ose tentohet ndonjë trajner shqiptar me kosto më të ulët, por edhe me eksperiencë e ambicie.
Një emër i ri që ka dalë në skenë orët e fundit është edhe ai i Gugash Maganit, për të cilin do të ishte një kthim te Tirana, por trajneri peqinase sapo ka shkuar në Kosovë dhe duhet parë ç’do të bëjë me Trepçën ’89 në fund të sezonit.
Gjithsesi, Ze Maria mbetet në avantazh, mbi të gjitha për faktin se tashmë e njeh skuadrën dhe nëse vjen trajner i ri, duhet kohë dhe ndoshta revolucion i ri.