Trajektoria në zbritje, mesfushori shqiptar përfundon në kategorinë e katërt gjermane

Nga Bundesliga e dytë gjermane, në kategorinë e katërt të këtij vendi. Kjo është kurba në rënie e Jurgen Gjasulës, mesfushorit shqiptar që do të vazhdojë karrierën në radhët e Viktoria Berlin. 32-vjeçari gjeti akordin me klubin e kryeqytetit gjerman, për të vazhduar karrierën me ekipin që militon në Regional Liga-Nordost. Afrimi i lojtarit të lindur në Tiranë dhe që në karrierë ka luajtur dy ndeshje me përfaqësuesen shqiptare, i ka entuziazmuar drejtuesit e klubit dhe tifozët e Viktoria Berlin.

Kjo për faktin se ekipit i shtohet një lojtar me shumë eksperiencë, që deri në verën e kaluar luante në Ligën 2 gjermane me Grojter Furthin, kategori në të cilën numëron afro 200 ndeshje të luajtura me fanellat e FSV Frankfurt, Duizburg dhe VfR Alen. Mesfushori ka shijuar edhe emocionet e Bundesligës gjermane, në periudhën kur aktivizohej te Kaizerslauterni.

Gjithashtu, Gjasula ka luajtur më tepër se 100 ndeshje në elitën e futbollit zviceran me St. Galen dhe Bazelin, ndërsa për një sezon ka luajtur edhe me klubin e mirënjohur bullgar, Liteks Loveç. Pavarësisht karrierës së pasur, gjatë kësaj vere Gjasula mbeti pa skuadër, ndërsa mesfushori preferoi të vazhdonte karrierën në ligat e ulëta gjermane, pavarësisht ofertave nga klubet elitare në Shqipëri.

“Do të sjell në skuadër eksperiencën time 15-vjeçare në futbollin profesionist”, tha Gjasula. Në anën tjetër, drejtori sportive i Viktoria Berlin, Roko Teiçman u shpreh entuziast për goditjen në merkato: “Jurgeni na ka befasuar, jo vetëm me aftësitë fizike, por edhe me personalitetin që ka. Kjo duket edhe nga fakti që megjithë karrierën në nivele të larta, ai vendosi të luajë me klubin në kategorinë e katërt, të mbështesë projektin tonë dhe me aftësitë e tij të na ndihmojë të ecim përpara”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *