Tragjedia | Atak kardiak, futbollisti shqiptar ndahet nga jeta në moshën 32-vjeçare

Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Suedi, aty ku futbollisti shqiptar, Labinot Harbuzi është ndarë në mënyrë të parakohshme nga jeta. Ngjarja ka ndodhur paraditen e kësaj të enjteje, ndërsa 32-vjeçari ndodhej në banesën e tij, ku jetonte së bashku me prindërit.

Harbuzi pësoi atak kardiak, ndërsa për t’a rikthyer në jetë nuk mjaftoi as ndërhyrja e ndihmës së shpejtë, e cila u njoftua nga i ati i futbollistit. Lajmi tronditës u bë i ditur nga gazeta më e madhe suedeze, “Aftonbladet”.

Lojtari nga Peja ka qenë mjaft i njohur në shtetin skandinav, ku është aktivizuar me përfaqësueset suedeze të moshave, ndërsa është vlerësuar edhe nga një legjendë si Zlatan Ibrahimoviç. Harbuzi ka kaluar një karrierë të pasur, duke luajtur për Malmon, Fejnordin e Gençlerbirligi, ndërsa së fundmi u aktivizua në Malajzi me Melaka Junajtid.

Disa vite më parë, ai ishte një prej yjeve që përfaqësuesja e Kosovës shpresonte të afronte. Ëndërr e cila nuk u realizua asnjëherë, ashtu si edhe dëshira e Labinot Harbuzit për të vazhduar të luante futboll, edhe pse ishte pa skuadër prej afro dy vjetësh. Ndarja e papritur nga jeta e mesfushorit me tipare sulmuese la gjithçka pezull dhe mbi të gjitha një dhimbje të madhe për familjen dhe për të gjithë shqiptarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *