Fernando Torres dhe Atletiko e Madridit, një histori e përjetshme dashurie, që nuk e zbeh as kur El Nino shkoi në Angli, ndërsa triumfi në Europa League ka qenë një dhuratë mbi të gjitha për sulmuesin kampion bote, i cili nuk kishte fituar kurrë trofe me Atletikon.
Tani Torres e mbyll përfundimisht karrierën madrilene, mosha bën të vetën, por ndarja është vetëm një “Mirupafshim” plot dashuri, si ajo e një djali që është bërë burrë dhe ka ardhur koha të dalë në jetë, t’ia dalë me forcat e veta.
Sulmuesi ka shkruar një letër për tifozët e tij dhe të Atletikos, ku shpreh gjithë ndjenjat në këtë moment të vështirë dhe mallëngjyes.
“Para 22 vitesh isha këtu, isha 11 vjeç dhe festova titullin kampion dhe Kupën e Mbretit. Ëndërroja që një ditë të isha sërish këtu. Koha ka kaluar dhe kam fituar shumë trofe, por pa dyshim ky është më i miri. Për gjithë fëmijët që kanë një ëndërr, u them që asgjë nuk është e pamundur, sidomos nëse janë tifozë të Atletikos. Forca Atletiko!
Është e vështirë të shpjegoj çfarë provohet kur janë në lojë kaq shumë emocione. Kur isha i vogël, askush nuk e kuptonte pse në shkollë vishja fanellën e Atletikos pas një humbjeje. E dija çfarë duhej të duroja, por nuk më interesonte, më bënte më të fortë. E dija që një ditë do kishim një skuadër të aftë të na përfaqësonte, edhe pse do duhej shumë punë, por në fund ia dolëm. Falënderoj gjithë shokët që kanë qenë më mua në Segunda Division, ishin vite të vështira, por nuk e humbëm krenarinë. Falënderoj edhe ata që kanë luftuar në vitet e tranzicionit dhe ata që kanë filluar një cikël fitimtar. Falënderoj brezat paraardhës që na kanë frymëzuar dhe sidomos shokët e mi të skuadrës aktuale. Jam krenar që bëj pjesë në këtë grup.
Faleminderit që më keni bere të ndihem kaq me fat, nuk kam pasur kurrë nevojë për një titull që të ndihem futbollisti më i dashur në botë. Kam pasur nevojë për një karrierë për t’u gjendur ku dëshiroja 11 vite më parë, por ju siguroj që ia vlejti. Ju pres të dielën, faleminderit nga zemra dhe më falni nëse u kam dhënë kaq pak”.