Skuadra e Tomorit ka rinisur përgatitjet e saj, të cilat kanë hyrë në javën e tretë, dhe pse duhet pranuar se beratasit janë një skuadër në rindërtim e sipër. Ajo që të bie më shumë në sy në këtë periudhë është jo vetëm mungesa e herëpashershme e futbollistëve titullarë vendas nga sezoni i kaluar, por edhe afrimet e shumta të futbollistëve të rinj që vijnë nga skuadra të ndryshme, duke kërkuar që të testohen dhe të fitojnë besimin e stafit teknik vendas, me qëllim që të jenë pjesë e Tomorit në sezonin e ardhshëm futbollistik.
Në këtë kuadër, gjatë ditës së hënë pasdite në Berat kishin ardhur për provë edhe tre futbollistë kosovarë. Pas kontaktit me stafin teknik beratas dhe me vetë futbollistët kosovarë, është mësuar edhe identiteti i tyre dhe roli që ata luajnë si futbollistë, duke nisur me mesfushorin 22-vjeçar Arlind Rashani që ka ardhur nga Trepça e Mitrovicës, dhe që ka mbyllur sezonin në vendin e 4-t të Raiffeisen Superliga.
Sakaq 24-vjeçari Bashkim Idrizi është një tjetër futbollistë që vjen nga një ekip i njohur siç është edhe Vëllaznimi i Gjakovës. Po ashtu, Tomorit i është bashkuar edhe sulmuesi i Gjilanit, Shkëlqim Emerllahu, i cili është vetëm 19 vjeç.
Stafi teknik ka bërë me dije për Sport Ekspres se nga dita e enjte skuadra do të jetë e gjitha në dispozicion, në mënyrë që këtë fundjavë të përgatitet edhe zhvillimi i një ndeshje miqësore, në të cilën do të testohen jo vetëm futbollistët e sapoardhur, por në fushë do të jenë sërish edhe futbollistët e tjerë beratas dhe jo vetëm, që kërkojnë të fitojnë besimin e teknikut Gersi Arbëri.
Edi Spahiu