Dalja e Tomorit në stërvitje ditën e diel pasdite, jo vetëm që mund të cilësohet si një risi dhe shenjë e theksuar serioziteti, por edhe tregues i qartë se trajneri Gersi Arbri dhe ndihmësat e tij kanë si synim nisjen e një projekti afatgjatë. Madje, jo vetëm hapësirat për të rinjtë, por edhe puna e vazhdueshme në stërvitje me grupin e lojtarëve, do të sjellin një paraqitje ndryshe të Tomorit në pjesën e dytë të sezonit.
NIGERIANI –Në seancat stërvitore ka rënë në sy edhe prania e një futbollisti nigerian. Fjala është për mesfushorin shkatërrues 25-vjeçar, Dikson Eche Idakvo, i cili së fundmi është aktivizuar në radhët e Lobi Starit në kampionatin e Nigerisë. I shoqëruar edhe nga menaxheri i tij Çarls Ofoye i cili tashmë gëzon nënshtetësinë Shqiptare, futbollisti ka zhvilluar seancën e parë në radhët e skuadrës beratase. Mirëpo një gjë nuk është ende e sigurt, nëse lojtari Dikson Eche Idakvo ka ardhur për provë apo pritet të nënshkruaj kontratën deri në përfundim të sezonit. Një gjë e tillë nuk bëhet e ditur as nga drejtuesit e klubit, por edhe as nga menaxheri i tij Ofoye. Sakaq, futbollisti 25-vjeçar ka qenë për provë edhe në radhët e Kukësit gjatë verës, në kohën kur skuadra verilindore drejtohej nga tekniku serb, Mladen Milinkoviç.
TË RINJTË – Ndërkaq, skuadrës së trajnerit Gersi Arbri i janë bashkuar edhe katër lojtar të rinj nga ekipi i 19-vjeçarëve që po mahnitin me performancën e tyre në Kategorinë e Parë. Enver Kovaçi, Krisild Zoga, Antonio Qengji dhe Eglant Lamaj janë lojtarët që tashmë do të kenë mundësinë për të përfaqësuar fanellën e qytetit të tyre. Në këtë rast duhet përmendur padyshim edhe puna mjaft e mirë e trajnerit të moshave, Iken Droboniku.