Tomori më në fund del në shitje dhe çdo biznesmen i interesuar mund të blejë aksione të klubit beratas. Bashkia beratas, si zotëruese e klubit, ka vendosur të nxjerrë në shitje 76% të aksioneve, duke mbajtur vetë 24% dhe natyrisht edhe stadiumin dhe terrenet e klubit, ashtu si stemën. Lajmi i përhapur prej ditësh është konfirmuar dje nga faqja zyrtare e klubit beratas në Facebook, me një deklaratë të shkurtër, ku u bëhet ftesë gjithë biznesmenëve dhe investitorëve të interesuar që të afrohen dhe të bëhen pjesë e klubit.
NJOFTIMI – “Gjithçka po bëhet e ditur në mënyrë zyrtare nga zyrat e Tomorit, edhe pse një lajm i tillë ka qarkulluar prej ditësh në gazeta, apo edhe portale online. Institucioni i “Bashkisë së Beratit” që ka nën menaxhim 100% të aksioneve, prej ditësh ka vendosur që të nxjerr në shitje 76% të tyre. Si faqja zyrtare që përfaqëson dhe nxjerr në pah dinjitetin e këtij klubi, ne jemi të detyruar që të informojmë të gjithë opinionin publik që: PO, KJO GJË ËSHTË E VËRTETË. Gjatë kësaj periudhe që ndodhemi në krye të klubit, ne jemi përpjekur që të bëjmë diçka të mirë që të mbahet mend dhe të jetë plotësisht në favor të Tomorit, ku shlyerja e të gjitha borxheve është diçka që nuk ishte bërë më parë. Pra, tashmë çdo investitor që do të interesohet apo dhe ata që janë interesuar, do të mendojnë vetëm për investimet që do të bëjnë dhe jo për ato që do të shlyejnë. Çdo investitor është shumë i rëndësishëm, ku dyert e Klubit dhe të Bashkisë janë të hapura në çdo moment”.