Beratasit humbasin penallti dhe në fund munden nga peqinasit
TOMORI 0
SHKUMBINI 1
Shënues: Hasanaj 18′
Në minutën e 69-të, Tomori humb 11-metërsh me anë të Onuh, gjuajtjen e të cilit e ka grushtuar Ajazi!
Tomori: Kaloshi, Çaço, Paja, Mersini, Daci, Myzyri, Sharavolli, Mirani (Kopaçi 23′), Koleci, Buba (Onu 52′), Hyseni (Hoxha 80′). Trajner: S. Dule.
Shkumbini: Ajazi, Bërdufi, Dervishi (Beqari 71′), Musaku, Isaj, Meta (Zhuga 90′), Sadiku (Ramazani 55′), Nexha, Hasanaj, Lluca, Xhyra. Trajner: S. Branica
Gjyqtarë: R. Muska, R. Shaba, R. Zajmi (Tiranë)
Vëzhgues: A. Llulaj (Vlorë)
Delegat: A. Buneci (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Sharavolli 82’ / Sadiku 33’, Xhyra 39′, Hasanaj 62′, Dervishi 66′
Karton të kuq: Hasanaj 62′
Goli
Hasanaj duke përfituar edhe nga një gabim i mbrojtjes vendase që i dhuroi topin, realizoi në hyrje të zonës me një goditje të fortë.
Moviola:
31’ – Myzyri pasoi bukur për Kopaçin që u pengua në zonë nga një mbrojtës mik dhe beratasit kërkuan 11 metërsh, duke protestuar te kryesori Muskaj.
Pas ndeshjes:
S. Dule, trajneri i Tomorit: Nuk u prononcua pas ndeshjes.
S. Branica, trajneri i Shkumbinit: “Jemi shpërblyer në këtë transfertë me një fitore e cila ka qenë e merituar. Gjithçka mendoj se ka ardhur jo vetëm nga përgatitja e duhur psikologjike e skuadrës, që meriton vlerësimet e mia maksimale në mënyrë të veçantë për disiplinën që tregoi në zbatimin e detyrave, por edhe se në realitet ne kishim ardhur në Kuçovë për fitore”.
Edi Spahiu
Tomori zhgënjeu në Kuçovë duke u dorëzuar përballë Shkumbinit. Në një takim që nuk kënaqi aspak sportdashësit e pakët beratas. Pas një fitoreje dhe një barazim ka ardhur edhe humbja e parë në kampionat. Duke bërë që të bien kambanat e alarmit përsa i përket mungesës së vazhdimësisë në rezultatet pozitive. Pavarësisht nga momenti i mirë që po kalonin beratasit në kampionat, por dhe fitores në mesjavë në Kupë ndaj Bylisit, dje kanë “rrëshkitur” duke pësuar një goditje të rëndë në fushën e tyre… Shkumbini për më shumë se 33′ minuta, duke përfshirë edhe shtesën ka luajtur me një futbollist më pak….
PJESA E PARË – Takimi nisi i shpejtë, me miqtë që rrezikuan me anë të Dervishit që në minutat e para, për t’ia lënë radhën beratasve që me anë të Çaços dhe Bubës vunë në provë portierin Ajazi, i cili shkëlqeu në këtë takim me pritjet e tij. Daci ishte fare pranë golit në goditjen me kokë në të 12-ën minutë, por topi u largua nga një mbrojtës tek vija e portës. Po kështu momenti pozitiv i vendasve vijoi me rastet e Çaços që vertikalizoi për Bubën, por vendimtare ndërhyrja e një prej mbrojtësve miq, që largoi topin në korne. Miqtë provuan me Sadikun, megjithatë “gardiani” Kaloshi ishte në lartësinë e duhur. Në të 18-ën miqtë kaluan në avantazh me anë të Hasanajt, i cili realizoi pas një “dhurate” nga mbrojtja vendase. Disavantazhi “trullosi” Tomorin që reagoi me shpejtësi në kërkim të golit të barazimit, por deri në fund të kësaj pjese Mirani, Sharavolli dhe Buba nuk realizuan me rastet e paraqitura.
PJESA E DYTË – Fraksioni i dytë nis me ritëm të ulët, ndërsa tekniku Dule hodhi në lojë nigerianin Onu, por largimi i talentit Buba dha efekt të kundërt në lojën e Tomorit, pasi me disa modifikime në formacion beratasit nuk ishin të qartë në fazën sulmuese, edhe pse mundësitë u krijuan. Tomori nisi të fitonte terren dhe entuziazmi u rrit. Në krahun tjetër Hasanaj i cili kishte bërë mjaft mirë deri në të 62-ën, hodhi poshtë të gjithë atë paraqitje të shkëlqyer me lojë dhe golin e fitores, kur në fillim shkaktoi një faull dhe u ndëshkua me karton të verdhë, por që brenda disa sekondave për shkak të këtij kartoni shtyu me dorë kryeson Muskaj, i cili e ndëshkoi direkt me karton të kuq. Dhe vetëm shtatë minuta më pas, beratasit fituan një 11- metërsh të dyshimtë. Onu, merr përsipër të ekzekutojë penalltinë e fituar nga ai vetë, megjithatë portieri mik Ajazi arriti ta ndalte. Veç portierit që bëri pritje vendimtar enë minutat e mbetura, nuk mund të lihen jashtë vëmendjes dhe edhe kundërsulmet e shpejta të miqve me anë të së cilave mund të kishin ndëshkuar me anë të Llucës, Nexhës dhe Xhyrës.