Tomori/ Arbri tregon merkaton beratase: Pak durim për objektivat!

Edi Spahiu

Skuadra beratase ka nisur javën e dytë të përgatitjeve të saj për sezonin e ardhshëm, ndërsa edhe pse aktualisht është një skuadër gati e përgjysmuar dhe në një proces të ngjeshur të merkatos. Krahas kontakteve me futbollistët jabanxhinj, klubi është duke projektuar edhe seleksionimet e futbollistëve të rinj vendas, të cilët përbëjnë më së shumti edhe organikën e skuadrës aktuale.

Në një prononcim që ka dhënë për SportEkspres në ditën e parë të stërvitjes së kësaj jave, kryepankina e Tomorit Gersi Arbri ka jo vetëm me ecurinë e merkatos, por më së shumti ka bërë të qartë se për objektivin sezonal do të vendoset vetëm pasi skuadra të jetë e plotë pas fazës së merkatos, për të cilën është duke punuar maksimalisht, në mënyrë të tillë që brenda periudhës 15-20 korrik skuadra të përfundojë të gjithë procesin e riorganizimit të saj për kampionatin e ardhshëm.

GERSI ARBRI – “Besoj se dhe nga vëzhgimi juaj si media sportive, keni konstatuar se skuadra ende nuk është e plotë në procesin stërvitor, pasi ne kemi qenë më së shumti të fokusuar tek puna që po kryejmë me elementin e ri vendas, por besoj se kjo është një fazë seleksionimi për të gjithë ata futbollistë që do të vendosim që të jenë pjesë e skuadrës në fazën përgatitore.

“Po kështu, unë dua të bëj me dije për të gjithë sportdashësit e interesuar se kemi intensifikuar punën tonë në procesin e merkatos, ku kemi disa kontakte, por edhe marrëveshje të rëndësishme, por që këto do të bëhen publike vetëm në një moment të dytë, ku besoj se periudha 15-20 korrik do të jetë më e përshtatshme për të startuar me një skuadër të plotë dhe me një ngarkesë po të tillë edhe procesin zyrtar të fazës përgatitore, pjesë e së cilës do të jenë edhe futbollistët jabanxhinj që do të vijnë nga merkato e kësaj vere.

“Për sa i përket shqetësimit të madh që kanë sportdashësit beratas në lidhje me objektivin sezonal për kampionatin e ri, unë megjithëse e kuptoj merakun e tyre nëse Tomori do të jetë pretendent për t’u ngjitur në Superiore apo jo, mund t’u them se vetëm pasi të kemi plotësuar skuadrën me elementët e nevojshëm, do të vendosim zyrtarisht edhe objektivin për sezonin e ri, që do të thotë se duhet të presin edhe pak kohë, sepse ne nuk mund të vendosim objektiva pa përgjegjësi ose në ajër”, ka përfunduar prononcimin e tij tekniku i skuadrës beratase Gersi Arbri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *