Skandalet në Serbi nuk kanë fund dhe këtë herë është Crevena Zvezda në qendër të vëmendjes. Në ndeshjen e fundit arritën të fitonin me shifrat 2-3 ndaj Topolës në kampionat. Por në dhomën e VAR që duhet të jetë e kyçur dhe në të duhet të jenë vetëm pjesëtarët e arbitrave, ka hyrë në mes të ndeshjes edhe një zyrtar i Federatës.
Ndërkohë në këtë ndeshje u vu re për herë të parë mungesa e kapitenit dhe portierit Milan Borjan. Asnjë dëmtim dhe problem shëndetësor për të, teksa kishte qenë titullar në ndeshjen tjetër që u luajt ndaj Radnik dhe u barazua me shifrat 1-1.
Mediat serbe kanë zbuluar detaje shokuese ku menjëherë pas atij barazimi, trajneri Dejan Stankovic është “çmendur” dhe ka ofenduar keqazi lojtarët e tij duke i treguar që janë të pavlerë, se nuk kanë aftësi dhe se janë nën nivel për Zvezdën.
Milan Borjan i është përgjigjur Stankovic në emër të gjithë lojtarëve gjatë konfliktit në dhomat e zhveshjes, por vetëm sa ka tensionuar më keq situatën. “Kurir” raporton se situata shkoi deri në atë pikë aq sa Stankovic i është drejtuar Borjan duke thënë: “Jeni plehrat më të mëdha që kam parë ndonjëherë te Zvezda”.
Vërtet e habitshme në një kohë që Zvezda la pas Bragën dhe doli e para në grupet e Europa League. Por gjithçka nis të qartësohet pasi Stankovic po vëzhgohet nga dy ekipe të Serisë A si trajner dhe nuk do të bëj figurë të keqe me rezultatet e marra deri në janar. Menjëherë pas këtij konflikti, kapiteni Borjan është larguar nga Zvezda. /Sport Ekspres/