Mjaft i indinjuar, jo për shtyrjen e ndeshjes, por për rastin e penalltisë , trajneri i Flamurtarit Shpëtim Duro është larguar tejet i mërzitur nga stadiumi, së bashku me ndihmësin Jeton Beqiri, me këtë të fundit që pjesën e parë e ndoqi nga tribuna për shkak të dënimit të marrë. Në momentin kur i është kërkuar një prononcim, Duro është drejtuar vetëm me fjalët: “Mos më pyesni mua, pyesni Juxhin Xhajën, aty e keni”, ndërsa është larguar menjëherë nga stadiumi, pa thënë asnjë fjalë, duke treguar qartë zhgënjimin për vendimin e penalltisë së dhënë nga gjyqtari në pjesën e parë të ndeshjes Flamurtari-Laçi. Të njëjtin mendim kanë ndarë edhe lojtarët vlonjatë, që janë dukur tepër të mërzitur me vendimet e gjyqtarit. “Penallti ishte ajo? I thoni gjyqtarit ta shohë më mirë, çfarë janë këto që bëhen”, ishin fjalët e disa prej lojtarëve të Flamurtarit, në momentin e largimit nga stadiumi.