Sezoni i ri ka nisur me Superkupën e çuditshme, që pa Kukësin të mundej nga Tirana e rënë nga kategoria. Skënderbeu është favoriti i madh, por Partizani “italian” herët a vonë do të “vrapojë”
Më në fund, nesër nis kampionati, si asnjë kampionat në Europë, pasi klubet e Superiores kërkuan që të kishin më shumë kohë për përgatitjen e sezonit të ri dhe FSHF e pranoi kërkesën absurde. Tani do të shohim një sprint pa ndalesa, duke përjashtuar një pushim në janar. Plot 36 javë, që nesër deri në mesin e muajit maj, të ndërthurura me Kupën e Shqipërisë. Kush do ta përballojë kalendarin e ngjeshur, do të ketë sukses në fund, pak rëndësi ka nëse suksesi quhet titull, Europë apo mbijetesë. Por cila është gjendja e ekipeve në start, pretendentët e mëdhenj për titull a i justifikojnë shpalljet pompoze, a do të kemi ringjallje të emrave të mëdhenj si Flamurtari e Vllaznia dhe cilat skuadra duken në disavantazh në garën për mbijetesë? Në vazhdim, një pasqyrë e shkurtër për cdo skuadër të Superiores, ku natyrisht jo gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve, por të paktën në letër pak a shumë tashmë kuptohet forca dhe potenciali i çdo skuadre.
SKËNDERBEU – Vera 2017 do të mbahet mend gjatë dhe Skënderbeu ka shkruar histori. Përtej debatit bosh se deri në vitet ’90 skuadrat shqiptare përballeshin me emra të mëdhenj dhe tashmë mund të kalosh një apo dy ture duke u ndeshur me rivalë modestë, skuadra korçare ka bërë historinë e futbollit shqiptar, duke kaluar 4 ture në Europa League dhe duke kapur grupet me forcat e veta, pa pasur më nevojë për ndihmën e rregullores së UEFA-s, që e lejoi para dy vitesh të shkonte në grupet e Europa League si humbës i turit play-off në Champions. Me një vlerë në treg rreth 6,5 milionë euro, duke iu referuar një burimi jo fort të saktë si transfermarkt.de, Skënderbeu është klubi i vetëm që prej disa vitesh prodhon dhe shet lojtarë, por tashmë edhe shpenzon. Takaj ka blerë Suad Sahitin duke shpenzuar shumë herë më pak sesa shiti Liridon Latifin. Nespor e Soue duken përforcime shumë cilësore në sulm, për të bërë që të harrohet Hamdi Salihi dhe të mos ndihet as largrimi i Plakut, i cili në verë u transformua në protagonist të madh me golat e tij. Korçarët do të luajnë në Europa League deri në dhjetor, por nuk është detyrimisht disavantazh. Skuadra është e kompletuar, aq sa trajneri Ilir Daja ka hallin më të madh, sepse nëse i ka të gjithë në dispozicion, stoli dhe tribuna do të mbushen me emra mjaft cilësorë dhe frika më e madhe është që do të fillojnë pakënaqësitë. Megjithatë, Skënderbeu i ka menaxhuar mirë këto situata dhe Daja po tregon se është trajner i nivelit të lartë. Oreksi është i madh, pas dorëzimit të titullit të vjetshëm dhe humbjes së titullit të fundit pas një finaleje absurde në Kukës. Për t’ia marrë titullin sivjet Skënderbeut do të duhet perfeksion te rivalët…
PARTIZANI – Pritja nuk ka fund, Partizani është bërë si Liverpuli, që e ka harruar shijen e titullit kampion prej dekadash. Të paktën Të Kuqtë anglezë kapin tek-tuk ndonjë kupë dhe mbi të gjitha krenohen me Champions League, sepse para 12 vitesh regjistruan përmbysjen më të çmendur në historinë e finaleve, në Stamboll kundër Milanit. Po Partizani? Prej vitit 1993, vetëm dy kupa e një Superkupë, një thatësirë e frikshme për 15-herë kampionët e vendit, që kanë provuar edhe turpin e rënies nga kategoria si në ndërrimin e shekullit, ashtu edhe një dekadë më vonë, kur shkuan deri aty sa zbritën në nivelin e tretë të futbollit shqiptar, që ne e quajmë Kategoria e Dytë. E megjithatë, Partizani është kthyer fuqishëm, por jo aq sa për të fituar titullin. Në fakt, së shpejti mund t’i jepet titulli që fitoi vjet Skënderbeu dhe iu hoq para pak kohësh nga Federata, si pasoj e dënimit për trukime nga UEFA, por një titull i tillë nuk shijon sa një i vërtetë, në fushë, me trofeun të ngritur në qiell në fund të ndeshjes mbyllëse të sezonit. Presidenti Gaz Demi është lodhur së “gërvishturi” pa fituar asgjë, ndaj këtë verë ia ka besuar “timonin” Luçiano Moxhit, atij që bëri të madh Juventusin në vitet në ’90-2000, edhe pse më pas ishte një ndër ata që u dënuan dhe e çuan Juven në Serinë B. Trajner italian, staf italian, lojtarë të ardhur nga Italia e Brazili, Edgar Çani si “qershia mbi tortë”. Çfarë i mungon këtij Partizani? Për momentin i mungon koha: Juliano ka pasur shumë pak kohë për të punuar dhe jo për faj të tij, sepse të kuqtë pas daljes nga Europa bënë pushime të tejzgjatura, duke lënë vetëm një muaj kohë në dispozicion të ish-mbrojtësit të njohur, i cili tashmë duhet të korrë rezultate, mundësisht me lojë të mirë, sepse tifozët e kuq larguan Sormanin për lojën aspak bindëse. Skuadra është, rolet janë të dubluara dhe nëse dështon ndonjë nga përforcimet, tashmë ka mjaftueshëm emra cilësorë për të marrë vendin (6,6 milionë euro vlera e skuadrës në treg). Nëse Partizani do të ruajë qetësinë, do të ketë durim dhe nuk do të merret më me beteja mediatike boshe, së bashku me tifozët mund t’ia dalë të realizojë ëndrrën. Gogoli është Skënderbeu, por sezonet e fundit Partizani e ka treguar se nuk është inferior.
KUKËSI – Në futboll ka dy mënyra të fituari: duke ndërtuar “pallatin” nga themelet, me investime në infrastrukturë dhe ekipe moshash, ose duke menduar të shpenzosh pa fund për të fituar gjithçka, tani, pak rëndësi ka e nesërmja. Nëse Skënderbeu e Partizani pak nga pak po e kuptojnë që duhet “pallat”, Kukësi nuk e vret ende mendjen në këtë aspekt. Safet Gjici ka ndërtuar një perandori nga hiçi, sepse Kukësi është bërë një klub i madh vetëm falë milionave të Gjicit dhe titulli i sezonit të shkuar ishte kurorëzimi i shpenzimesh dhe përpjekjesh pa fund. Megjithatë, gjërat nuk po shkojnë mirë, në pamje të parë. Eliminimi i pafat nga Sherif Tiraspoli bëri që Gjici të largonte trajnerin Gjoka, fajtor që fluturuan qindra mijëra euro të ardhura nga UEFA. Më pas ikën edhe shumë titullarë, duke nisur nga Pero Pejiç, ndërsa tashmë skuadra vetëm në mbrojtje është ajo e sezonit të shkuar. Mesfusha është ribërë thuajse nga zero, sulmi po ashtu, vlera në treg ka rënë ndjeshëm, 4,7 milionë euro. Trajneri Mlladen Milinkoviç ka presion të madh mbi vete, e nisi ters me disfatën në Superkupë ndaj Tiranës së rënë nga Kategoria dhe i duhet të fitojë disa beteja: atë me një pjese të madhe të tifozëve që nuk e duan; atë me skuadrën, që duhet të ndryshojë tërësisht mënyrë loje e të menduari dhe nuk është e lehtë; atë me Safet Gjicin, i cili me 2-3 humbje rresht të fluturon në rrugë të madhe dhe të kërkon edhe dëmshpërblim për prishje kontrate. A do t’ia dalë ish-trajneri i Luftëtarit? Ashtu si Juliano, i duhet kohë dhe shumë durim, i duhen Zeqiri e Bakaj në superformë dhe një Alijev menjëherë në lartësinë e Pero Pejiçit. I duhet edhe fat. Ndoshta janë shumë, për t’i pasur të gjitha në një sezon.
Nga Europa te mbijetesa, sa shumë pikëpyetje!
Flamurtari është ribërë dhe premton shumë. E njëjta gjë ndodh me Teutën, Vllazninë dhe Laçin. Lushnja “shqiptare” duket e dënuar. Luftëtari “enigmatik”
Ashtu si edhe vjet, mendohet se kampionati do të jetë i ndarë në dy grupe, në njërin grup do jenë skuadrat për titull, ndërsa në tjetrin “vija ndarëse” për mbijetesën dhe kapjen e Europës është shumë e hollë. Nga lëvizjet e deritanishme Flamurtari dhe Teuta duken dy skuadrat më të favorizuar për të luftuar për vendin e katërt, ndërsa një hap më pas është skuadra e Laçit, që sezonin e shkuar luftoi për të mbijetuar në Superiore dhe ja arriti vetëm në fund, ashtu si dy skuadrat e përmendura më lart. Vjet ishte Luftëtari surpriza, ndërsa sivjet “rolin” e gjirokastriteve kërkon ta luajë Kamza. Emrat e afruar në merkato ngrohin, por nuk duhet harruar çfarë ndodhi me Korabin sezonin e shkuar. Luftëtari u rendit në vendin e katërt, por sivjet sërish rreshtohen në skuadrat që do të luftojnë për mbijetesë. Në Gjirokastër luten shumë që t’i nënvlerësojnë edhe këtë sezon. Vllaznia ka bërë lëvizje të mira dhe shpresohet shumë që Atsina të jetë njeriu gol. Mesfusha për t’u pasur zili, me Vucajn, Hasanin dhe Gilman Likën që i janë shtuar Tafilit, Krymit e Bardullës. Mbrojtja është pak “deficit”, por në Shkodër shohin Europën. Gjithsesi për këtë duhet pyetur Cungu. Lushnja është skuadra e kuotuar me koeficientin më të ulët nga të gjithë për të qëndruar në Superiore. Lëvizjet kanë qenë të pakta, është ruajtur grupi, por dihet që Superiorja kërkon cilësi dhe para. Verdhejeshilët janë ekip bashkie.
Luftëtari – Vjet gjirokastritët u nënvlerësuan dhe këtë faktor ata e përdorën shkëlqyeshëm, duke u renditur në vendin e katërt në kampionat. Janë larguar Bojom, Rexhinaldo dhe Liçaj nga titullarët e sezonit të shkuar, si dhe “koka” e ekipit, trajneri Mlladen Milinkoviç. Amerika Latine ka qenë “toka” nga bluzinjtë i kanë sjellë shpëtimtarët e rinj, duke nisur nga trajneri uruguaian Daniel Fernandez. Thonë se duan Europën, por këtë vit do të jetë edhe më e vështirë se sezonin e shkuar. Zor se do t’i nënvlerësojnë njëlloj, edhe pse duket se janë dobësuar.
Teuta – Komplet ndryshim “fytyre”. Presidenti Edmond Hasanbelliu vendosi të mos rinovojë kontratat me shumicën e lojtarëve titullarë të sezonit të shkuar. Këtë verë bëri disa afrime të rëndësishme dhe kupat e Europës janë objektivi minimal që kanë në Durrës. Zbulimi pritet të jetë sulmuesi Onieka Osemene, i huazuar nga Braga, nddërkohë që edhe Anel Dediç është një futbollist që mbetet për t’u parë. Lena do jetë lideri, kurse Albi Dosti duket i rilindur me rikthimin te Teuta. Së bashke me pjesën tjetër të ekipit të sezonit të shkuar, “djemtë e detit” do futen në këtë kampionat plot optimizëm.
Laçi – Kurbinasit kanë pësuar sërish ndryshime edhe këtë vit, por ndryshimi është se baza e skuadrës është ruajtur nga vjet. Kërkohej një sulmues dhe në vend te Mensah erdhi Rexhinaldo. Sulmuesi nga Mozambiku e njeh kampionatin tonë dhe ky është një faktor plus për të. Të rinjtë mbeten në fokus dhe pjesë e bardhezinjve u bë Myrto Uzuni, i transferuar nga Apolonia. Nga Brazili kanë ardhur Ademir dhe Eskerda, ky i fundit për të zëvendësuar Vucajn. Këtë sezon Laçi do Europën dhe do e kërkojë nga Kupa dhe kampionati.
Flamurtari – Ekipi vlonjat është ndërtuar nga fillimi dhe është një “prodhim” i trajnerit Shpëtim Duro. Lojtarë të ardhur nga Maqedonia si Useini, Pollozhani, Siljanovski dhe Zhufo janë baza e ekipit, së bashku me disa prej titullarëve të vjetshëm. Bushiç rinovoi, ndërkohë që edhe Veliu e Mersini nënshkruan kontratat e reja. Rikthimi i Alveshit bëri që sulmi të jetë i plotë, por ka edhe plotë të tjerë të rinj që e bëjnë Flamurtarin një ekip interesant dhe pretendent për vendet e para në klasifikim. Europa është synimi.
Vllaznia – Në Shkodër kur flitet për objektiva të shmangen, pavarësisht se janë bërë disa afrime cilësorë. Rikthimet kanë qenë një modë. Hasani, Vucaj dhe Gilman Lika kanë përforcuar Vllazninë, ndërsa për sulmin janë afruar Atsina dhe Ribaj. Orelesi është një përforcim për mbrojtjen, por trajneri Cungu do e donte edhe një lojtar tjetër për prapavijën. Dëshira e parë, një kampionat i qetë.
Kamza – Naim Qarri dhe kryebashkiaku Xhelal Mziu i kanë vënë në dispozicion trajnerit Ramadan Ndreu një skuadër konkurruese dhe i vetmi problem shihet përshtatja e lojtarëve me njëri-tjetrin. Në sulm janë afruar Raçiç dhe Plaku, ndërkohë që edhe mbrojtja me Fushtar, Kuqi e Idrizaj është përforcuar. Edhe në mesfushë ka përforcime të rëndësishme, ndaj te Kamza ëndërrojnë, por së pari duan të sigurojnë mbijetesën. Objektivi? Ndeshja e radhës. Mund të jenë surpriza e sezonit.
Lushnja – Artan Bano është munduar të ndërtojë një ekip brenda mundësive që ka Bashkia e Lushnjes. Pagat shkojnë deri në 1 milion lekë, ndonjë mund të paguhet më shumë, ndërkohë që baza e ekipit është ajo e sezonit të shkuar. Janë rikthyer Bejte dhe Pepa, ndërkohë që janë afruar disa lojtarë me eksperiencë në Superiore, si Gava e Meto. Me një ekip 100% shqiptar, Lushnja synon mbijetesën, por do t’i duhet një mrekulli.