Bardheblutë, “tris” ndaj Shkumbinit. Në ndeshjen e parë të 2018-ës, Vendosin golat e Ngosë, Qilimit dhe Vrapit, por Ze Maria fsheh ekipin para takimit të Kupës
Olsi Avdiaj
Tirana e nis me tre pikë 2018-ën, duke mundur Shkumbinin në një ndeshje pa shumë histori. Bardheblutë ia dalin të marrin pikët e plota, duke kaluar pa problem ekipin peqinasm falë golave të Ngosë, Qilimit dhe Vrapit. Në një ndeshje pa probleme ku Tirana nuk e ka tub vështirë të marrë pikët edhe me pesë mungesa të formacionit të parë. Jo vetëm kaq, por trajneri Ze Maria për këtë takim lë në momentin e fundit në stolin e rezervave dhe Erjon Hoxhallarin dhe në vend të tij në fushë, fut Alked Çelhakën. Peqinasit nga ana e tyre vinin me katër mungesa titullarësh dhe paçka pozicionit në renditje mundohen të jenë të barabartë. Ndeshja nis e qetë dhe pa ndonjë ritëm të lartë.
Duket se Tirana e ka marrë shtruar takimin dhe kërkon të rezervohet për sfidën e së mërkurës, ndonëse rasti i parë u përket bardhebluve. Ngo brenda në zonë bën një kthesë të papritur, godet menjëherë topin, por Ajazi i mohon golin anglezit. Në minutën e 13-të, lojtari me numër 13-të, Karabeci ka një shans për të kaluar Tiranën në avantazh, por dy shtyllat vertikale, i mohojnë kapitenit golin. Rasti i parë për miqtë shënohet në minutën e 22-të, me Nexhën që kroson për Dervishin, e ky i fundit godet me kokë, ndërsa topi kalon mbi traun e portës. Ze Maria kupton që në tribunë është trajneri i Kukësit, Peter Pakult, së bashku me Nderim Nexhipin dhe ndryshon skemën e lojës. Nuk luan siç bën zakonisht. Gjithsesi, brazilianit i duhet të bëjë disa riparime edhe i detyruar nga një goditje, që Daja pëson gjatë lojës. Në vend të mesfushorit futet Hoxhallari që merr krahun e majtë, ndërkohë që Çelhaka del pas sulmuesve. Dhe menjëherë vjen goli, pikërisht në minutën e fundit të kohës së rregullt. Në fakt në minutën e 44-rt i sapofuturi në fushë Hoxhallari, pengohet në zonë nga Nexha. Për Allën, nuk ka dyshim. Është penallti. Ekzekutimin e merr përsipër Majkëll Ngo, që nuk gabon dhe zhbllokon rezultatin. Për t’u shënuar zemërgjerësia e Erando Karabecit. Bardheblutë mbyllin pjesën e parë me një gol në avantazh, por jo me një lojë bindëse, kjo ndoshta edhe për faktin që trajneri i Kukësit, po i ndiqte në tribunë.
Pjesa e dytë nis me të njëjtin ritëm, por me Shkumbinin që mundohet të jetë më agresiv. Gjithsesi, golin e shënon Tirana. Është minuta e 54-rt dhe Qilimi çon në dy, shifrat e rezultatit, falë një gjuajtje të thatë të tij, që nuk ndalet nga Ajazi. Për t’u shënuar asisti i Ngosë, sërish vendimtar në fushë. 2-0 për Tiranën, por një minutë më pas, Qilimi mund të shënonte edhe golin e tretë, nëse parabola e tij nuk do të grushtohej nga Ajazi. Dhe realisht do të kishte qenë një supergol. Ze Maria e Branica nisin zëvendësimet, duke hedhur në fushë të rinjtë e skuadrave respektive. Dhe nga një i ri, Vrapi do të vinte edhe goli i tretë për bardheblutë. Është minuta e 81-të. Goditje këndi që ekzekutohet nga Karabeci, por mbrojtësit peqinas spastrojnë topin jashtë zonës së tyre. Gjithsesi, sfera i shkon Vrapit që pas stopimit perfekt me të djathtën, lëshon një predhë me të majtën, ndërsa topi ndalet në rrjetë. 3-0 për bardheblutë, që kënaqen me këtë rezultat, pa djersitur shumë. Peqinasit nuk kanë çfarë bëjnë e dorëzohen para bardhebluve, edhe pse Mezini kishte një shans për të shënuar golin e nderit në minutën e 91-të të takimit. Përfundimisht, Tirana merr tri pikët, ngjitet në kuotën e 34 pikëve dhe është e para e grupit B. Sa për Shkumbinin, skuadra e Branicës u mundua, por nuk ia doli të merrte pikë dhe është e parafundit në renditje me nëntë pikë, duke rrezikuar qëndrimin në këtë kategori, gjithmonë nëse nuk reagon në ndeshjet e ardhshme.
Zhduket Ze Maria nuk del në konferencë për shtyp
Trajneri i Tiranës, Ze Maria, për habinë e të gjithëve nuk doli në konferencën për shtyp. Teksa të gjithë prisnin që braziliani të dilte para medias së shkruar dhe në transmetimin direkt të RTSH-së, vjen e papritura. Mësohet se trajneri është larguar për në shtëpi dhe nuk do të dalë në konferencën për shtyp. Një veprim ky i pakuptimtë i trajnerit, që gjithmonë është korrekt në komunikimin me median.
Branica: Me Tiranën s’ka histori, të ikim nga fundi i renditjes
Në fund të sfidës mes Tiranës dhe Shkumbinit, ai që ka folur për miqtë ishte trajneri Sokol Branica. Numri një i peqinasve pranoi se para Tiranës nuk mund të bënin dot më shumë. “Pritej humbja me Tiranën. Është skuadër e mirë përgatitur dhe e mirë paguar. Ne kemi pasur probleme financiare, por skuadra pjesën e parë ishte mirë. Gaboi në pjesën e dytë. Rënia erdhi prej golit të dytë, si rrjedhojë e gabimit qesharak të portierit, që nuk reagoi në momentin e duhur. Pastaj, ne prishëm gjithçka. Kishim edhe mungesa. Patëm nja 2-3 mundësi në pjesën e parë, por nuk i shfrytëzuam. Duhet të punojmë më tepër, sepse po nuk shënove nuk merr dot rezultat pozitiv. Gabuam në të dy fazat e lojës. Më shqetëson fakti, që ne pësojmë gola për shkak të vigjilencës në momente të caktuara, sesa lojës tonë. Na mungonin 4 futbollistë, që shpresoj të na rikthehen. Është gjë e madhe që një skuadre si Shkumbini t’i mungojnë 4 lojtarë. Gjykimi? Tirana nuk ka nevojë për ndihmën e gjyqtarëve. Ne jemi prej “mishi dhe gjaku” dhe nxehemi. Në disa raste, gjyqtari mund të kishte vepruar edhe më mirë. Në qytetet e tjera është më e vështirë me gjyqtarët. Në disa ndërhyrje të rrezikshme mendoj se duhej kartoni i kuq. Rezultati? Vjen me lojën, mjafton të mobilizohemi dhe të luftojmë. Mendoj se kemi pësuar disa humbje dhe kemi gabuar shumë brenda fushës. Do luftojmë për mbijetesë. Besoj që do ta kalojmë këtë krizë. Afrikani që ka ardhur? Nuk jam i kënaqur, sepse ka luajtur më mirë”, mbylli Sokol Branica.
Tirana – Shkumbini 3-0
Shënues: Ngo 45′ (11-m), Qilimi 54′, Vrapi 81′
Tirana: Lika, Kërçiku, Turtulli, Cake, Çelhaka, Karabeci, Qilimi, Daja (Hoxhallari 41′), Greca (Muçi 57′), Halili (Vrapi 65′), Ngo. Në dispozicion: Abibi, Bishaj, Murja, Bardhi. Trajner: Ze Maria
Shkumbini: Ajazi, Xh.Lluca (Mezini 46′), Bërdufi, Sadiku (Gjyla 60′), Ikonomi (Aruçi 73′), Mustafaj, Xhyra, Musaku, Nexha, Dervishi, Fridej. Në dispozicion: Peqini, Sinani, Lila, Bali. Trajner: Sokol Branica
Gjyqtarë: Laver Alla, Devis Koreshi, Marjus Qose, Olti Çela (Lushnjë)