Tirana zbavitet me Shkumbinin, Ze Maria: Tani jemi skuadër

Tirana luan tenis në Peqin! Fiton thellë dhe është e para në klasifikim me gjysmën e skuadrës që shënon dhe Ilion Likën që vazhdon të jetë portieri i vetëm që nuk ka pësuar gol në kampionat. Një ndeshje e shumëpritur dhe e munguar prej pesë sezonesh ka sjellë atmosferë mbështetje dhe transmetim “live” nga stadiumi peqinas. Takimi ka nisur i qetë dhe të dy ekipet duket sikur studiojnë njëri-tjetrin. Minuta e 14-të sjell goditjen e parë në portë. Për peqinasit ishte Isai me një goditje dënimi nga 30 metra, por grushton saktë portieri Lika. Duket se kjo goditje ka “egërsuar” miqtë dhe në një aksion shumë të bukur. Ngo brenda zonës peqinase, godet, topi përplaset tek Ramazani dhe Doka me portën bosh shtyn atë drejt rrjetës. Vendasit protestojnë për një gol të ardhur nga një prekje me dorë, fakt i vërtetuar edhe nga pamjet televizive, por në fund pranojnë dhe të nisin topin nga rrethi mesit të fushës. Miqtë rritin trysninë dhe në minutën e 41-të, Ngo merr një asist nga Sentamu përballë Ajazit godet dhe shënon 0-2. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë. Pjesa e dytë nis e gjitha për miqtë ku Hoxhallari në të 55-ën ndërmerr një inkursion të tij në të majtë hyn në zonë godet rreptë dhe shënon golin e tretë. Peqinasit thuajse shpërfytyrohen dhe janë larg futbollit të luajtur. Miqtë sërish përfitojnë dhe është Sentamu, që me topin e marrë nga Ngo brenda zonës, godet saktë dhe shënon golin e katërt. Dy minuta më pas, një top që qarkullon në mesfushë gjen Dajën në një pozicion ballor. Nuk nguron të lëshojë një predhë nga distanca Daja dhe topi ndalet në rrjetë për të pestën herë. Në minutën e 71-të Lluca që hyrë në zonë e Tiranës ndalet në mënyrë të parregullt nga Turtulli dhe gjyqtari i ndodhur pranë aksionit akordon 11-metërsh. Lluca merr përsipër ekzekutimin e kësaj penalltie, godet, por grushton portieri mik Lika, duke shpëtuar portën nga pësimi golit. Tirana ka luksin për tre zëvendësime ndërsa peqinasit kryejnë një të detyrueshëm, duke shpresuar tek një dëmtim i lehtë për Ramazanin e kthyer nga një ndalesë tremujore. Teksa të gjithë pritnin vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit Ziri, Greca ndërmerr një galopim brenda zonës, ndalet në mënyrë të parregullt nga Bërdufi dhe gjyqtari akordon një 11-metërsh. Kapiteni Karabeci ekzekuton saktë, duke vulosur takimin që dhuroi gjashtë gola një 11 metërsh të humbur dhe atmosferë të munguar prej vitesh.

Ze Maria: Tani jemi një ekip i plotë

Ze Maria, trajner i Tiranës është dukur i kënaqur nga paraqitja që skuadra e tij bëri në Peqin. Braziliani pranoi se skuadra bardheblu është një makineri golash. “Nuk ishim këtu për një shëtitje. Pjesa e parë nisi disi më e qetë, por në pjesën e dytë jemi treguar më aktivë dhe kështu duhet të jemi gjatë gjithë sfidave. Mendoj se në ndeshjen e Kupës ndaj Vllaznisë do të kërkojmë të japim më shumë. Nuk mendoj se do ta humbasim përqendrimin, pasi do stërvitemi çdo moment dhe do vazhdojmë me këtë ekip edhe më tej. Ekipi është në gjendje të mirë. Kemi stërvitur mirë të gjitha repartet dhe ato funksionojnë. Sentamu dhe Ngo shënojnë. Edhe Lika është në formë të mirë dhe bën pritje çdo javë”, është shprehur Ze Maria.

Branica: Tirana nuk ka nevojë për gjyqtarët

Sokol Branica, trajner i Shkumbinit pranon se skuadra ishte përgatitur për një humbje, por jo me një rezultat kaq të thellë. Trajneri i peqinasve pranoi se goli i parë ishte faull dhe Tirana nuk ka nevojë për ndihmë të tilla. “Ishte një ndeshje që nuk pritnim një humbje kaq të thellë. Lojtarët u imprensionuan dhe u vunë në trysni. Kam rezerva për golin e parë, por duhet lënë maviolës, ndërsa jam shprehur se Tirana është ekip potent dhe nuk ka nevojë për ndihmën e askujt. Na duhet të punojmë për më tej, pasi kampionati është i gjatë”, u shpreh Branica.

Tifozët nuk harrojnë protestën

Edhe në Peqin drejtuesit bardheblu janë përballur me protestën e tifozëve. Veç grupimit që ka qëndruar gjatë gjithë kohës në shkallët e stadiumit dhe ka sulmuar presidencën ka qenë në stadium dhe ka protestuar, në minutat e para të takimit ndodhi një incident i vogël. Dy tifozë hynë te tribuna “karshi” dhe hapën një parullë që të kapej nga kamerat e transmetimit “live” ku shkruhej. “Ti je turpi i Tiranës”.

Shkumbini – Tirana     0-6

Shënues: Doka 31′, Ngo 41′, Hoxhallari 55′, Sentamu 58′, Daja 60′, Karabeci 92′ (pen)

Shkumbini: Ajazi, Bërdufi, Dërvishi(Bali 64′), Musaku, Isai, Meta, Ramazani(Zhuga 72′), Sadiku, E.Lluca, Nexha, Xhyra. Në dispozicion: Peqini, Lila, Xh.Lluca, Sinani, Beqiri. Trajner: Sokol Branica

Tirana: Lika, Turtulli, Olivera, Kërciku(Nuriu 65′), Hoxhallari, Daja(Basha 65′), Qilimi, Karabeci, Sentamu, Doka Ngo(Greca 66′). Në dispozicion: Abibi, Bishaj, Çelhaka, Levendi. Trajner Ze Maria

Gjyqtarë: Blerim Ziri, Endrit Veseli, Erind Burbu, Alvi Paço. Delegat: Erind Shera

Vëzhgues: Lirim Çuka

Kartonë të verdhë: Isai 35′ Bërdufi 90’ / Ngo 64’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *