Tre gola, 3 pikë dhe që tani është e qartë që Tirana nuk e ka vendin në Kategorinë e Parë. Bardheblutë kanë fituar 3-0 sot në Pogradec, duke bërë gjithçka në mënyrë perfekte, ndaj një rivali aspak të lehtë në letër, sepse liqenorët kanë disa sezone që luajnë thuajse me të njëjtën skuadër dhe kanë ekip të konsoliduar.
Nëse Pogradeci në shtëpi pëson 3 gola, vështirë se ndokush tjetër veç Bylisit mund t’i bëjë ballë një Tirane dukshëm superiore, që është një fatkeqësi që ra pikërisht për faktin se vret rivalitetin në grupin B, ku bën pjesë.
Sentamu në minutën e 29-të hapi llogaritë e sfidës, me golin e parë personal në Shqipëri, ndërsa në të dytën erdhi edhe goli i parë shqiptar për sulmuesin anglez Ngo.
Më pas Pogradeci mbeti me 10 lojtarë dhe Sentamu vulosi fitoren e dytë në kampionat për Tiranën, që tashmë kërkon të ruajë këtë ritëm, pasi synimi i shpallur është shkëputja e mjaftueshme për të siguruar ngjitjen pa ardhur mirë pranvera.