“Tirana të mos flejë gjumë, në krye dhe me dorë nga mbrapa”, Gjici nuk dorëzohet për titullin: Qëndron oferta ime për Olsi Ramën

Safet Gjici vazhdon me kritikat ndaj arbitrit Kridens Meta për ndeshjen mes Laçit dhe Kukësit. E mbyllur në shifrat 2-0, presidenti i verilindorëve shprehet se gjyqtari ka bërë gabime tendencioze për të mbrojtur ekipin e vendasve. I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” do të kalonte edhe më tej, duke u shprehur se Meta sillej si të ishte punëtor në klubin e Laçit.

“Kjo ishte një javë polemikash. Kishim thënë që kampionati të vendosej në fushë, por arbitrat po bëjnë hapa mbrapa. Sidomos në ndeshjen e fundit ku arbitri u duk si të ishte punëtor i adminitratës së Laçit, pra sikur ta kishte vendosur Laçi atë arbitër. Ne e dimë që në Laç nuk luhet futboll, por edhe në situatë pandemie kishte probleme me tifozët dhe sharje.

Nuk dua të justifikoj aspak paraqitjen e lojtarëve, por na mohuan penalltinë e pastër te Abazaj. I njëjti arbitër sa herë që luajmë me Laçin nuk na jep penallti. Ky ka eksperiencë, por nuk e di se çfarë e gjen në Laç dhe prandaj thashë që mund të jetë i punësuar në Laç. Gjithmonë e ka mbrojtur Laçin. Ky nuk ishte gabim njerëzor dhe pres që Federata ta dënojë. Na kanë sharë në mënyrë barbare ata tifozët, që delegatët kanë kërkuar të largohen.

Tirana të mos flejë gjumë se ne nuk dorëzohemi për titullin. Do të mobilizohemi dhe do të fitojmë të gjitha ndeshjet, edhe me arbitrat kundër ndoshta. Tirana ka ndeshje shumë të vështira, por edhe ne, megjithëse do t’i fitojmë. Çfarë kanë më shumë se ne? Faktin që ne i luajmë të gjitha ndeshjet jashtë dhe ata janë aty edhe me ndonjë dorë nga mbrapa. Sa i përket ofertës time për të marrë Olsi Ramën, qendron gjithmonë, megjithëse është mirë edhe me Gaz Demin”, ka thënë Gjici. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *