Tirana rrezikon të humbasë Ze Marian, e duan në Rumani

Skuadra rumune shkarkon trajnerin e mëparshëm dhe kërkon të marrë trajnerin e bardhebluve

Olsi Avdiaj

Hoze Ferreira Ze Maria është në lojë për t’u emëruar trajneri i ri i skuadrës rumune, ACS Poli Timishoara. Skuadra që militon në ligën e parë rumune dhe që kohët e fundit nuk ka pasur fat në kampionat dhe kupë ka shkarkuar trajnerin e saj të mëparshëm, Ionut Popa. Dhe menjëherë në shtypin spanjoll kanë nisur thashethemet e para, se cili do të jetë zëvendësuesi i rumunit. Sipas medias rumune “Sporturilor”, braziliani i Tiranës, Ze Maria është kandidati kryesor për të drejtuar skuadrën nga Timishoara. Emri i tij ka dalë në skenë si një njohje e vjetër e këtij kampionati, pasi më parë ka drejtuar në 2015-ën, Çeahlaulin. Paraqitjet e Tiranës dhe puna e tij kanë bërë që braziliani të marrë një ofertë dhe ai mund të braktisë bardheblutë për t’u sistemuar në kampionatin rumun, nëse oferta është e mirë dhe serioze. Sipas Sporturilor”-it, veç Ze Marias, në lojë janë edhe dy kandidatë të tjerë. Gjithsesi, ajo që i intereson bardhebluve është fakti se Ze Maria, që tani po merr oferta nga jashtë Shqipërisë për të drejtuar skuadra të njohura të futbollit lindor. Zor se braziliani në fund të kampionatit mund të qëndrojë bardheblu, për të mos folur për një ikje që tani, nëse oferta është e majme.

Kujtojmë që Ze Maria mbërriti në qershor dhe zuri vendin e Mirel Josës, trajnerit të njohur shqiptar. Pasi humbi ndeshjet e Europës me Makabi Tel-Avivin, skuadra e brazilianit nuk u paraqit mirë as në përgatitoret e verës, por prej ndeshjes së Superkupës ndaj Kukësit e në vazhdim bardheblutë kanë fituar çdo takim dhe kanë pësuar një gol, duke qenë të parët e grupit B në Kategorinë e Parë, kanë fituar edhe Superkupën.

Ambroz Rashier: Ze Maria nuk na çoi askënd

Në një krah e kërkojnë, ndërsa në krahun tjetër e sulmojnë. Ky është Ze Maria. Për brazilianin, ai që ka folur keq është ish-presidenti i Gor Mahia FC, Ambroz Rashier, që kritikoi ish-trajnerin e tij, që i “la në baltë” në qershor. Sipas tij, ikja e Ze Marias ishte pika e kthesës për skuadrën e tij. Presidenti sulmoi hapur Ze Marian, që sipas tij nuk po e çonte klubin në drejtimin e duhur. “Nuk e di, por me ish-trajnerin (Ze Marian), humbëm titullin sezonin e shkuar dhe u mjaftuam vetëm me vendin e dytë. Është e qartë se me të nuk do të shkonim kaq larg”, u shpreh Ambroz Rashier.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *