Superkupë e fituar dhe kualifikim i siguruar në Kupë. Të shtunën premiera në Kategorinë e parë me tifozët e rikthyer. Duhet të jetë një vit tranzicioni
Gjergji Stefa
Duhet të jetë një strategji e klubit. Ndeshjet në shtëpi do luhen sigurisht në “Selman Stërmasi”, por nën dritën e prozhektorëve. Më së shumti të shtunave. Një lloj mesazhi indirekt për Superioren: nuk do rrimë t’iu shohim ju, kemi rrugën tonë për t’u rikthyer te ju. Tani “OK”, që u qan zemra që nuk janë mes 10 ekipeve më të mira kjo nuk diskutohet, por nëse kokën e mban pas, rrezikon të ngatërrosh këmbët përpara. Dy ndeshjet e para të edicionit treguan që ajo çka kaloi do jetë një arkiva në ndërgjegjen e atyre që nuk bënë ndonjë gjë më shumë që të mos ndodhte. E tashmja është më e rëndësishme.
Nëse dikush tha që Superkupa është një rastësi, transferta e Kavajës ishte një mundësi e mirë për të treguar nëse ky ekip e ka forcën për të përballuar një terren disi të panjohur. 1-2 kundër një Bese gjithashtu me entuziazëm nuk është keq. Nuk ishte loja brilante e Superkupës, por terreni, kundërshtari dhe motivimi mund të kenë ndikuar.
Të shtunën në Tiranë do luajë Iliria. Tirana duhet të respektojë çdo kundërshtar nëse dëshiron që në fund të dhjetorit të ketë siguruar njëfarësoj Superioren. Besa në këtë pikë pamje mund të jetë një mësim. Përmbysja gjatë ndeshjes ishte tregues force. Nuk mbahej mend që kur ishte hera e fundit që Tirana kish përmbysur rezultatin brenda një ndeshje futbolli. Iliria sigurisht që vjen e ndrojtur, sidomos ndaj një kundërshtari që këtë radhë ka vendosur: asnjë mëshirë ndaj askujt.
Rikthimi i tifozëve patjetër që do t’ia shtojë detyrimin dhe përgjegjësinë ekipit. Ata janë të etur që sa më shpejt skuadra të ringjitet dhe duhen shpërblyer me lojë dhe gola. Këtë mbi të gjitha duhet ta kuptojnë lojtarët. Në situatën ku janë nuk mjaftojnë vetëm fitoret. Duhet dhënë mesazhi: na duroni këtë vit dhe ejani sërish vitin tjetër.
Kupa, kupa, gjithnjë kupa. Në letër ky është objektivi më i vështirë. Trajneri është disi më i qetë. Ka kaluar Superkupën dhe ka premisa që me këtë grup të mos ketë shumë probleme në kampionat. Patjetër që nëse në kampionat është le të themi kandidate kryesore, kjo është meritë e klubit. 600 mijë euro buxhet vjetor, Kategoria e Parë as si ka parë dhe as s’do t’i shohë. Në një ligë ku rroga mesatare e lojtarëve është 800 mijë lekë të vjetra në muaj, shfaqet Tirana me futbollistë që paguhen deri në 6-7 milionë. Kësisoj trajneri e di fort mirë që ai mund të bëjë diferencën në kupë. Finalja e 2017-ës në këtë drejtim janë dy ndeshjet me Vllazninë. Por deri atëherë duhet shkuar me qetësi dhe pa presion. E mbi të gjitha pa ankthin e Superiores. Si i thonë fjalës i duhet bërë hyzmeti kampionatit.
Jo rrallë Tirana në vitet e fundit, sidomos muajt shtator tetor i ka pasur shpresues. Kështu ndodhi dhe vitin e shkuar, teksa në këtë periudhë barazoi duke e dominuar plotësisht 2-2 Kukësin, barazoi pa asnjë sens inferioriteti 0—0 Partizanin dhe mundi 2-1 kampionët në fuqi të Skënderbeut. Më pas, ashtu si shpesh kushedi pse gjërat ndryshojnë, trajneri zëvendësohet dhe lojtarët fillojnë e ikin një e nga një. Nuk duhet të jetë vetëm problem financiar, ndoshta problem durimi. Kësisoj, nëse ekipi është ai që është dhe duket relativisht në formë, nëse trajneri fundja po bën çka duhet të bëj, atëherë lipset që dhe klubi të jetë i qetë. Nëse të gjithë thonë që kjo Tiranë do ishte deri diku konkurruese dhe në Superiore, atëherë këtë ekip mbaje, forcoje, përmirësoje dhe shko e riktheu me klimën e duhur.
Askush nuk po i kërkon lojtarëve të Tiranës të mendojnë si inferiorë – kam qenë kundër gjithë emërtimit të Kategorisë së Parë me këtë nofkë – por nëse nuk tregojnë respekt për nivelin ku luajnë, do ta kenë të vështirë. Të shohim çdo të ndodhë kundër Ilirisë.