Tirana kërkon sulmues, në bisedime me shokun e skuadrës së Qakës

Tirana nuk ka zgjidhur ende çështjen Muzaka, sepse i duhet të shlyejë borxhin prej 107 milionë lekësh ndaj mesfushorit, por ndërkohë klubi vijon punën për të ardhmen.

Trajneri Ze Maria kërkon sulmues, duke mos e konsideruar të kompletuar sulmin, ndërsa menaxherë t ndryshëm ofrojnë futbollistë dhe në orët e fundit ka dalë në skenë një emër interesant, afrikani Salim Sise, mëson Sport Ekspres.

Sulmuesi 25-vjeçar nga Guinea është transferuar në Itali që në vitin 2011, duke luajtur me Arecon, ndërsa në vitin 2012 shkoi në Portugali, ku firmosi për 3 vite me Akademikan në Primeira Liga, ku në sezonin e parë shkëlqeu, duke shënuar 9 gola në 41 ndeshje, përfshirë dy gola në 6 ndeshje në Europa League.

Në sezonin 2013-14 Sise firmosi kontratë 5-vjeçare me Sportingun e Lisbonës, por kaloi në ekipin B dhe në janar 2014 u huazua tek Aruka. Më pas sërish huazim tek Alademika dhe Setubali, ndërsa në vitin 2016 erdhi transferimi tek Oljanense, ku shënoi 7 gola në 35 ndeshje.

Shtatorin e shkuar Sise firmosi kontratë 2-vjeçare për Poli Iashin, ku sezonin e fundit u aktivizua edhe mesfushori i kombëtares sonë Kamer Qaka. Poli Iashi pagoi 15.000 euro për sulmuesin, i cili në Rumani merrte 4000 euro në muaj, por në pranverë (11 ndeshje e 1 gol në kampionat) klubi ia prishi kontratën dhe tashmë Sise është i lirë.

Tashmë Sise, i cili deri në vitin 2014 ishte pjesë e kombëtares së Guinesë, kërkon të riniset dhe Shqipëria është një opsion, me Tiranën që gjithsesi i ofron më pak se në Rumani, ndaj gjithçka varet prej sulmuesit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *