Kampionati ka hyrë në dy javët e fundit të tij. Dy javë të cilat do të jenë vendimtare për të vulosur verdiktet e këtij edicioni në “Abissnet Superiore”. Tirana është fare pranë titullit të dytë radhazi, teksa udhëheq me dy pikë diferencë në krye të tabelës. Bardheblutë luajnë nesër një përballje mjaft delikate me Bylisin, ku kërkojnë ndihmën e tifozëve për t’i mposhtur. Tirana ka bërë thirrje për tifozët përmes faqes zyrtare në “Facebook”, në të cilën i fton të jenë të pranishëm në stadiumin “Arena Egnatia”.
“Në ndeshjen e parafundit të këtij kampionati hapim dyert për të gjithë tifozët, të jenë të pranishëm në stadiumin “Arena Egnatia”, nesër në orën 16:00. Teksa jemi kaq pranë finishit, bëhemi të gjithë bashkë për t’i dhënë skuadrës mbështetjen e nevojshme. Hyrja fals, mos mungo”, ka shkruar klubi Tirana./Halit Delibashi-Sport Ekspres/