“Tirana ishte mediokre në Europë, ku u lodhën ata?”, Dabulla “pa mëshirë”: Erzeni u ndërtua dy javë para sezonit, Tirana kishte 3 muaj kohë

Rezart Dabulla është treguar “i pamëshirshëm” me ish-ekipin e tij, Tiranën. Ish-futbollisti ka kritikuar bardheblutë në emisionin “Ora Sport” të transmetuar në “Ora TV”. Dabulla sheh si problem faktin se kampionët në fuqi janë të varur nga Xhixha, ndërsa më tej kritikon edhe faktin se ekipi duhej ndërtuar më mirë gjatë merkatos. Sipas tij, nuk duhet të ekzistojë justifikimi i mungesave, pasi kryeqytetasit kishin 3 muaj kohë për të ndërtuar një grup konkurues. Gjithashtu një kritikë është hedhur edhe për paraqitjen e Tiranës në Europë, të cilën Dabulla e konsideron si mediokre.

“Kam bindjen që ky kampionat do ndahet midis Tiranës dhe Partizanit. Unë do të dëshiroja që ta fitonte përsëri Tirana. Te tabela e renditje është 4 pikë mbrapa, por të mos harrojmë që nuk ka gabuar në derbi Tirana, ka fituar. Domethënë ka fituar në derbi dhe prapë është 4 pikë mbrapa Partizanit. Kjo tregon që në ndeshjet e tjera ka gabuar më shumë nga ç’duhet të gabojë. Tirana akoma është në përpunim e sipër. Po nuk qe Xhixha në formë të mirë, Tirana vuan shumë për të shënuar golin. Këtë e shoh që do e ketë ngërç gjithë kampionatin.

Është edhe kjo tjetra. Dëgjova intervistën e trajnerit pas ndeshjes. Unë kam luajtur vetë sport dhe e di që jo çdo ndeshje e fiton dhe Erzeni ka meritë që i mori tre pikë Tiranës. Por justifikimi ishte që: “kemi katër mungesa“. Unë pretendoj që te Tirana, ata katër lojtarë që vijnë nga stoli për të zëvendësuar 4 titullarët, duhet ti ketë më të mirë se sa Erzeni në këtë rast. Kishte kohë tre muaj që të përgatitej për kampionatin. Erzeni është formuar dy javë përpara se të fillonte kampionati, Tirana kishte 3 muaj kohë dhe duhet të mendonte mirë që kampionati ka mungesa, ka kartona, ka dëmtime.

U lodh Tirana në Europë? Pse ku u lodhën ata? Nuk u lodhën. Performancë mediokër. Nuk e prisja. Me Tiranën gjatë kampionatit dhe Tiranën që pamë në Europë ishte mediokër.”, ka deklaruar Rezart Dabulla./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *