Bardheblutë e Roland Avramit, pavarësisht startit të vështirë, ia kanë dalë të jenë fitues ndaj durrsakeve, që janë përpjekur të bëjnë “keq”
Gjergj Vyshka
Tirana – Goga Basket 58-47
(17-9, 20-7, 13-22, 8-9)
Tirana: Zykaj, Popoviç (10), E.Bujari (3), Xhanaj (15), Milovanoviç (23)/Bojd (5), G.Bujari (2), Baraj, Rreshpja, Jaçe Trajner: R.Avrami
Goga Basket: Mehmeti, Dishnica (2), Omerbashiç (14), Frieson (1), Mekkiroi (14)/E.Papa (5), Uilliams (11), Memushi Trajner: M.Driza
Gjyqtarë: G.Hoxha, E.Koçi, E.Tiko (Tiranë)
Tirana në basketboll për femra ka gjunjëzuar përsëri Goga Basket. Pasi e ka mundur në finalen e Kupës së Shqipërisë, 73-57, të njëjtën gjë ka bërë dhe dje në fazën e tretë të kampionatit. Në fakt nuk ka qenë një fitore e lehtë për vajzat e Avramit. Madje mes tyre ka pasur dhe nervozizëm, teksa amerikania Bojd i është hakërryer kapitenes Eliverta Bujari. Goga Basket e përforcuar me Omerbashiç dhe amerikanen Uilliams, në dukje një skuadër e dobësuar, ishte një kundërshtar që të hapte punë. E nëse do të administronte më mirë situatat e krijuara, atëherë mund dhe të ishte fituese e ndeshje. Por në përgjithësi një ndeshje e mirë.
Goga Basket falë Frison, që si qendër bën mirë në sulm dhe në mbrojtje, por dhe Mekkiroit arrin të shkëputet deri në 8-0. Mirëpo Tirana gjen forca. Milovanoviç bëhet e rrezikshme poshtë koshit të kundërshtarit dhe Tirana përmbys në 15-8. Madje ka fituar periodën e parë në 17-9. Luan mirë dhe në të dytën e duke fituar 20-7 e mbyll pjesën e parë në 37-16. Kaq mjafton për t’i dhënë fitoren Tiranës, ndonëse Goga Basket gjen forca për të kërkuar përmbysjen. Ka fituar periodën e tretë 13-22 dhe ka ngushtuar në 50-38. 8-9 perioda e katërt, ndërsa Bojd del me pesë gabime personale, dhe në përfundim 58-47 për Tiranën, që kështu forcon pozitat në vendin e parë.
Flamurtari – Skënderbeu 71-50
(18-11, 20-15, 15-13, 18-11)
Flamurtari: Plasa, Kostallari, Myrto, Nikpaljeviç, Aliaj, Çorto, Palko, Hasanaj, Rrapaj, Lloi, Bleta Trajner: V.Toska
Skënderbeu: Llazari, Gjika, Toska, Harris, Jahollari, Doja, Pëllumbi, Shallo, Hysenllari, R.Loci, M.Loci Trajner: B.Topi
Gjyqtarë: O.Kasmi (Tiranë), M.Majko (Durrës)
Flamurtari, pas humbjes së pësuar në transfertë me Tiranën, është kthyer te fitorja në shtëpi ndaj Skënderbeut. Fitorja ndaj korçareve nuk ka qenë e vështirë për vlonjatet, të cilat nuk e kanë vënë për asnjë moment në diskutim suksesin. Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 38-26 për vajzat e drejtuara nga trajneri Toska. Dy periodat e para nuk kanë pasur shumë rivalitet. Në pjesën e dytë, vlonjatet e kanë ngritur ritmin e lojës së tyre më shumë duke e çuar diferencën ndaj kundërshtarit deri në 16 pikë. Gjithsesi nuk ka munguar edhe loja luftarake dhe deri diku rezultative e korçareve. Janë mikeshat, që me Toskën e Jahollarin, të cilat mundohen të krijojnë një farë presioni për vendëset. Gjithsesi në fund triumfi ka qenë i vlonjatëve, të cilat kanë fituar me rezultatin 71-50.
Vllaznia – Studenti 58-60
(14-17, 13-22, 14-12, 17-9)
Vllaznia: Mustafa, I. Dashja, Lugaj, Basha, Kraja, Verri, A. Dashja, Sinani Trajner R. Rasha
Studenti: Halili, Matka, Vata, Papa, Shima, Mema, Metani, Konini, Sulejmani, Papadhimitri, Ninxholli, Kerri Trajnere I. Mitku
Gjyqtarë: E.Koçi, A.Dulçe (Tiranë)
Pritej me shumë interes përballja e basketbollit të femrave mes Vllaznisë dhe Studentit. Një ndeshje që ka nisur në mënyrën më të keqe për skuadrën kuqeblu, ku perioda e parë mbyllet me avantazhin e skuadrës mysafire me rezultatin 14-17. Mustafa, dy Dashjet, Lugaj, Basha, Kraja, Verri dhe Sinani, të drejtuar nga trajnerët Rasha dhe Rakaj, bëjnë të gjitha përpjekjet për të ndryshuar atmosferën në periodën e dytë, por sërish rezultati është negativ, madje në shifra edhe më të thella. 13-22 përfundon perioda e dytë në favor të universitareve, që në bankinë kanë një trajnere si Irini Mitku, e cila më herët ka luajtur me sukses për ngjyrat e Vllaznisë. Në përfundim të minutes së 20-të të pjesës së parë, rezultati është në shifrat 27-39 në favor të mikeshave nga Tirana. Natyrisht që shifrat në fjalë, të cilat flasin të tëra në favor të Studentit, nuk janë të pranueshme për stafin teknik të Vllazninë, i cili në pushimin mes dy pjesëve jep udhëzimet e duhura. Duke pasur edhe përkrahjen e publikut, basketbollistet shkodrane përmirësojmë jo pak në lojën e tyre dhe kjo reflektohet me mbylljen e periodës së tretë kur rezultati është në shifrat 14-12 në favor të Vllaznisë. Diferenca prej 12 pikësh në mbyllje të pjeses së parë është e madhe. Ndaj basketbollisteve shkodrane i duhet shumë punë për të shkurtuar këtë disavantazh. Në përfundim të periodës së tretë kanë arritur të shkurtojnë vetëm dy pikë nga avantazhi i mikeshave universitare. Beteja më e madhe zhvillohet në periodën e katërt, fragment ky që për basketbollistet shkodrane ishte më i miri i të gjithë ndeshjes. Të udhëhequra nga kapitenia, Medina Mustafa, basketbollistet kuqeblu shënojnë pikë pas pike duke krijuar një superioritet të dukshëm, aq sa shifrat mbyllëse të kësaj periode janë 17-9 për Vllazninë. Një avantazh ky që e fut ndeshjen në faza shumë interesante. Kur të gjithë të pranishmit prisnin që koha e rregullt prej 40-të minutash të mbyllej me fitoren e ekipit të vendas, me dy pikë në avantazh, është basketbollistja universitare Matka, që me tre pikët e saja arrin ta barazojë rezultatin 58-58. Dhe më pas, edhe me një kosh tjetër vendimtar me vlerën e dy pikëve, vendos fatin e të gjithë takimit duke fiksuar rezultatin 58-60 në favor të Studentit.
Basketboll-Kategoria e Parë, grupi A Femra
Java e njëmbëdhjetë (17 shkurt 2018)
Flamurtari – Skënderbeu 71-50
Vllaznia – Studenti 58-60
Tirana – Goga Basket 58-47
Renditja
Skuadra N F H Koshaverazhi P
Goga Basket 11 9 2 888-676 20
Flamurtari 11 9 2 814-720 20
Tirana 11 8 3 826-626 19
Studenti 11 4 7 694-787 15
Vllaznia 11 2 9 649-824 13
Skënderbeu 11 1 10 605-843 11