Maqedonasit, me 11 trepikësha të realizuar në 30 tentativa, për pak e kthyer në dramë ndeshjen me bardheblutë në sallën olimpike “Feti Borova”
Gjergj Vyshka
Tirana ka fituar me fat ndaj maqedonasve të Kumanovo 2009, ndërsa ka marrë kështu suksesin e dytë në Ligën Ballkanike. Maqedonasit kanë qenë të gatshëm për ta bërë dramë në sallën olimpike “Feti Borova”, teksa nga një avantazh i bardhebluve me 20 pikë diferencë gjithçka ka ardhur deri tek barazimi 73-73. Sepse Kumanovo 2009 ka qenë e saktë në gjuajtjet për tre pikë, atje ku numëron 11 të realizuar nga 30 tentativa. Sidomos në periodën e katërt, Kovaç ka realizuar katër të tilla, më pas amerikani Rame, Karadjovski, Janeski me dy dhe Karakolev me një. Dhe në aksionin e fundit, teksa Tirana kryesonte 75-73, maqedonasit kanë luajtur për gjithçka jo vetëm për të barazuar rezultatin, por dhe për të marrë fitoren. Por nuk u ka dalë skema e bërë dhe në fund bardheblutë kanë marrë frymë lehtësisht duke marrë kështu fitoren e dytë në Ligën Ballkanike, ndërsa i kanë rritur shpresat që të jenë në fazën finale, e cila do të zhvillohet në sallën olimpike “Feti Borova”.
Ndeshja
Perioda e parë është luajtur pikë më pikë, ndërsa Karakolev është shqetësues poshtë koshit të Tiranës, teksa kishte realizuar gati shumicën e pikëve. Kumanovo është shkëputur në 5-11. Por më pas Tirana merr frenat e lojës, ndonëse ka momente si Strovbrixh, apo dhe Abdul-Basit gabojnë në pasime. Pa thënë që asnjëherë Popoviç, apo dhe Bërçkov nuk kanë hyrë në lojën e kërkuar nga Doukas, ndërsa Karaj, apo dhe Lasku, janë përdorur shumë pak dhe asnjëherë në funksion të skuadrës. E me Hysenagollin e Shimën ekipi ia del që të fitojë periodën e parë 17-16. E dyta, edhe për shkak të gabimeve të maqedonasve, pavarësisht se në lojë është edhe Rame, Tirana përmirëson lojën. Nis gradualisht të shkëputet dhe pasi ka fituar periodën e dytë 24-14 ka shkuar në dhomat e zhveshjes në pushim me avantazhin 41-30. E treta përsëri për Tiranën, 25-17 dhe 66-47. Tirana vihet në gjumë, ndërsa zgjohen maqedonasit, që kanë fituar periodën e katërt 19-26. E megjithatë suksesi i Tiranës nuk është cenuar, ndërsa në fund gjithçka është 85-73. Të enjten Tirana luan ndeshjen e pestë në Ligën Ballkanike, ndërsa do të presë në sallën olimpike “Feti Borova”, bullgarët e BC Levski 2014.
Tirana – Kumanovo 2009 85-73
(17-16, 24-14, 25-17, 19-26)
Tirana: Shima (21), Hysenagolli (20), Abdul-Basit (18), Bërçkov (2), Strovbrixh (8)/Popoviç (3), Karaj (3), Lasku Trajner: A.Doukas
Kumanovo 2009: Janeski (8), Karadjovski (12), Karakolev (21), Kovaç (15), Shterjov (4)/Rame (12), Miljkoviç Trajner: A.Petrovikj
Gjyqtarë: D.Mehmeti, Xh.Mumini, D.Maxhuni (Kosovë)
Pas ndeshjes
A.Doukas (Trajneri i Tiranës) – “Së pari duhet të uroj Kumanovën për lojën e zhvilluar. Së dyti është e vërtetë që kemi luajtur me hope, por mos harroni që kemi qenë në fushë edhe përpara dy ditësh në një ndeshje të vështirë me Teutën. Që do të thotë se ka dhe probleme fizike e mos rikuperimi në kohë. Kështu që ka dhe oshilacione, por e rëndësishme është që skuadra fitoi një ndeshje të vështirë”.
A.Petrovikj (Trajneri i Kumanovo 2009) – “E uroj Tiranën për fitoren dhe për lojën e bërë. Në tre periodat e para kemi pasur probleme sidomos me topat nën tabelë dhe ka qenë e vështirë që skuadra të hyjë në lojën e duhur. Në periodën e katërt kemi përfituar dhe nga fakti që Tirana e mendoi të fituar ndeshjen përpara kohësh. Përmirësuam gjithçka, sidomos në gjuajtjet për tre pikë, dhe mund të kishim bërë dhe suksesin. Megjithatë ky është sporti”.
E.Hysenagolli (Basketbollist i Tiranës) – “Ka qenë një ndeshje e vështirë, sidomos në periodën e katërt. Nga një avantazh prej 20 pikësh gjithçka ka ardhur deri në pikët e fundit, aq sa humbja do të ishte vetëvrasje për ne. E kjo sepse skuadra ka pasur një shthurje të pakuptimtë. Nuk se ka qenë ndër ndeshjet më të mira, por e rëndësishme që është fituam dhe të ecim përpara në Ligën Ballkanike”.
Liga Ballkanike, sezoni 2017-2018