Tirana e tregoi më shumë se kurrë se Plori po kthehet në “kokë turku”, Vllaznia nuk ka…VLLAZNI!

Plori, Plori, Plori! Nëse flitet për Vllazninë aktuale, tifozët dhe ambienti sportiv ia adresojnë të gjithë fajin trajnerit. Për vetë mënyrën sesi rrodhën gjërat dhe me gjithë zhurmën që shkaktoi Brdariç në këtë sezon, e gjithë pesha do të binte padyshim në pasardhësin e tij. Në këtë rast, doli të ishte Plori.

Në të gjitha këto ndeshje të zhvilluara ekipi nuk ka ngrohur, as në momentet kur ka fituar. Por çfarë nuk po shkon në këtë skuadër, a është realisht Plori fajtori i vetëm? Nëse e shohim me kujdes, trajneri po kthehet më tepër në “kokë turku” dhe ka realisht pak faj për gjithë situatën.

Siç e kemi theksuar edhe më herët, nëse ka pasur një arsye të vetme se përse Plori nuk duhej të ishte në kryesim të Vllaznisë, ishte për shkak se ka qenë pjesë e stafit të ekipit në kohën e Brdariç. Kur lëviz dhe vjen një trajner i ri, zakonisht ekipet marrin impulse të reja dhe motivim të ri, por kjo nuk ndodh kur ka zëvendësime të këtij tipi, brenda grupit. Pra nëse Plori do të vinte nga Besëlidhja, do të “ndizte” më tepër sesa duke qenë përkrah Brdariç më parë.

Por nuk është vetëm këtu problemi. Ndeshja e Vllaznisë ndaj Tiranës tregoi më së miri se në plan të parë janë lojtarët, jo trajneri. Shkodranët “e kanë lëshuar” kampionatin që në momentin kur vendi i parë u bë i paarritshëm, Europa dukej se u rrinte “ngushtë”. Ndeshja e sotme me bardheblutë tregoi se Vllaznia po kalon një situatë të keqe kryesisht nga paraqitja e futbollistëve, nuk ka të bëjnë skemat apo vendosjet taktike për t’i hedhur fajin Plorit.

Shumë persona, mes të cilëve edhe ne, u shprehëm se Tirana nuk tregoi mëshirë ndaj Vllaznisë. Megjithëse nuk i duhej fitorja në kampionat pasi kishte siguruar titullin, sërish fitoi me shifrat 3-1. Por për këdo që e pa këtë ndeshje, Shehi me ekipin e tij ishte pafundësisht i mëshirshëm pasi në të kundërt, shifrat do të ishin shumë herë më të thella.

Pas golit të dytë të pësuar u kthye si një ndeshje mes kampionëve të Superiores dhe një ekipi të Kategorisë së Parë. Lojtarët dukeshin të pafuqishëm për të vrapuar, pa asnjë dëshirë dhe motivim për të bërë diçka në fushën e blertë. A thua se ishte Vllaznia që kishte fituar titullin kampion? As në ato momente kur Tirana mbeti me 10 lojtarë, shkodranët nuk ndezën për asnjë moment. Në të vetmen herë që vraponin me dëshirë ishte kur merrej topi pasi dilte jashtë në rivënien anësore për ta hedhur në fushë, e më pas për t’ia falur Tiranës që mund të bënte ç’të donte me sferën në zotërim, energjitë kishin shteruar për të ndjekur aksionin.

Një paraqitje e tillë, në një ndeshje që supozohej të ishte “finale” dhe kundër një ekipi pa objektiva, ishte tërësisht jashtë logjike. Kjo ishte pasqyra më e mirë që tregonte edhe defektin kësaj skuadre, emrat e mëdhenj të Vllaznisë kanë javë që kanë ndalur së luajturi futboll, po e ulnin nivelin e performancave që në kohën e Brdaric. E në momentin që as presioni i madh i tifozerisë dhe i ambientit shkodran që “gëlon” pas një humbje, nuk të motivon, atëherë problemi është me të vërtetë i madh. Imagjinoni se çfarë mund të bënin në një qytet tjetër, ku pakkush flet për futboll.

Por të bësh “kokë turku” dhe të fajësosh Plorin për rezultatet negative të këtyre kohëve, është vërtet e tepërt. Një inat personal me trajnerin ose mos shikimi i së vërtetës në sy mund të çojë në një pikë të tillë. Sigurisht që tifozët i duan dhe i urrejnë trajnerët e tyre në bazë të rezultateve, ato po mungojnë. Nëse Plori do të kishte një grup të etur dhe me uri siç i kishim shkodranët në sezonin e shkuar, është pak dhe e sigurt, se Vllaznia do të ishte shumë lart sot.

Mjafton të shihni rastin e Cobës. Një talent dhe “xhevahir” i madh quhej që në kohën e Brdaric, kur linte gjurmë në ato pak minuta me performancën e tij. Por gjermani nuk i besoi kurrë. Madje në Shkodër ofendonin dhe shanin Alban Bushin sesi nuk i jepte Cobës minuta te Shqipëria U-21, por harronin nga rezultatet pozitive se te Vllaznia po lihej në stol prej ndeshjesh me radhë. Ndërsa me Plorin mjaftoi një fitore e madhe e dhuruar nga ana e Cobës për të marrë menjëherë besimin në finalen e radhës, këtë me Tiranën.

Megjithatë populli ka një shprehje edhe për këtë rast: “Hekuri rrihet sa është i nxehtë”. VLLAZNI, ky emër është shumë i veçantë, por pyetja është…A ka VLLAZNI në këtë grup? A po ndizen sadopak lojtarët nga fanella dhe dëshira për të dhënë edhe shpirtin në fushën e lojës? Nëse po, atëherë le të kalojmë te Plori. Por deri tani, nuk e kemi parë një gjë të tillë. Një palë pushime të mira i duhen aktualisht këtij grupi që e ka mbyllur kampionatin e tij dhe nuk ka më energji për të dhënë, por në Shkodër duhet të mendojnë seriozisht se cili prej tyre duhet të rikthehet sërish në seancën stërvitore për sezonin e ri. Nëse ka një person që po tregon shpirt në këtë klub, me përjetimin e humbjeve apo fitoreve, është pikërisht “koka e turkut”./Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online