Tirana e ka “bllokuar”, Moise luan më 16 janar

Trajneri i Kongos e llogarit për sfidën në Kupën e Afrikës kundër Kamerunit

Olsi Avdiaj

Moise Nkounkou ishte një nga futbollistët më të rëndësishëm në sezonin e shkuar, ose vitin që Tirana ra nga Kategoria Superiore. Prej muajsh, më saktë prej qershorit 2017 lojtari është larguar pa lënë gjurmë prej bardhebluve. Sipas lajmeve nga klubi Tirana, futbollisti ka braktisur ekipin dhe është ndëshkuar. Ai nuk mund të veshë asnjë fanellë tjetër dhe duhet të paguajë një dëmshpërblim për braktisjen e klubit. Gjithsesi, nga Kongoja vinë lajme për futbollistin bardheblu. Mësohet se ai do jetë në fushë më 16 janar për të luajtur një ndeshje, me kombëtaren kongoleze. Është trajneri i Kongos, Barthelemi Ngatsono, ai që konfirmon një fakt të tillë. “Moise Nkounkou ka nisur stërvitjen. Jam i bindur se ai do të jetë gati për repartin e sulmit. Kemi shumë besim te Moiseja, sepse e dimë që ai mund të bëjë shumë. Ka një eksperiencë të madhe. Kemi ende kohë. Më 16 janar ai është gati për të qenë në fushën e lojës”, është shprehur trajneri i Kongos. Nuk dihet saktësisht çfarë po ngjet, por një gjë është e qartë. Moise sipas kongolezëve nuk është i dënuar. Ai do të luajë kundër Kamerunit në ndeshjen për Kupën e Afrikës.

Moise ishte titullar fiks sezonin e fundit, duke luajtur 32 ndeshje, 2267 minuta në Superiore, por shënoi vetëm një gol dhe nuk është se kishte ndonjë diferencë të madhe me lojtarët e tjerë bardheblu, edhe pse erdhi me bujë dhe u konsiderua një investim madhor, duke parë moshën e tij shumë të re.

Çuditërisht, te Kongo Moise është titullar fiks, ndaj ndoshta ka potencial për më shumë dhe trajneri Ze Maria nuk do të ishte kundër ta shihte nga afër, në stërvitje e ndeshje. Megjithatë, vetëm Moise ka kërkuar të largohet dhe Tirana nuk do ta pengojë, me kushtin e vetëm që të paguajë 50 mijë euro, si penalitet, pasi kontrata e tij është afatgjatë. Ky 50 mijë eurosh ka çuar palët në një mosmarrëveshje që thuhet se do të zgjidhet nga FIFA. Gjithsesi, deri më 16 janar duhet të presim. Nëse aktivizohet, Moise nuk është i dënuar…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *