Fitore pa shumë histori për bardheblutë, trajneri vendas e ka me gjykimin
Edi Spahiu
Tirana e mbyll vitin me fitore, ku rezistenca e kuçovarëve zgjati vetëm 30 minuta. Ndeshja përligji renditjen, ku kuçovarët pavarësisht dëshirës e patën shumë të vështirë. Skuadra kuçovare e filloi takimin me disa ndryshime taktike, ku spikaste vendosja e sulmuesit Allkanjari në rolin e qendërmbrojtësit për të mbuluar shtatlartin Ngo. Tekniku kuçovar Fraholli duket sikur e kishte studiuar mirë skuadrën kryeqytetase. Kjo u pa dhe në 30 minutat e pare, ku gjithçka ishte thuajse e barabartë. Në fakt, miqtë nga kryeqyteti u munduan të rrezikonin që në minutat e para.
PJESA E PARË – Pikërisht në minutën e 9-të rrezikon Greca. Kuçovarët kundërpërgjigjen në minutën e 18-të. Koroveshi ekzekuton një goditje këndi dhe Hadaj edhe pse shtatshkurtër kërcen mbi mbrojtësit duke krijuar rrezikshmëri. Pas 3 minutave skena zhvendoset në zonën e vendasve , ku pas një harkimi nga e majta Uellison godet me kokë, por Spahiu me një grushtim të bukur nxjerr topin në goditje nga këndi. Në minutën e 26-të vendasit pretendojnë për një penallti, ku gjatë dyluftimit Uellison me sulmuesin A. Pepa, por gjyqtari jep goditje dënimi për skuadrën mike. Ishte vërtetë një moment i diskutueshëm që mund të ndryshonte rrjedhën e takimit. Pas 4 minutave vjen edhe momenti i artë për kryeqytetasit që vendos dhe fatin e takimit. K. Pepa frenon në mënyrë të parregullt Sentamun dhe ka 11-metërsh si dhe karton të verdhë për mbrojtësin kuçovar. Realizon nga pika e bardhë e penalltisë me qetësi Karabeci. Naftëtari goditet nga goli i pësuar dhe përballë kualitetit të Tiranës,duket se e ka shumë të vështirë. Pas 5 minutave vjen edhe goli i qetësisë, ku pas harkimit të Grecës nga e djathta Ngo shënon. Vendasit kërkojnë të rihapin ndeshjen me anë të Azis Pepës, por është i pasaktë në finalizim. Pjesa e parë mbyllet me një gol të Sentamu, ku përsëri meritë ka Greca, i cili këtë herë harkon nga e majta. Me fitoren e thellë, Tirana e pret pjesën e dytë më e qetë…
PJESA E DYTË – Tekniku Ze Maria, duke parë rezultatin e gjysmës së parë të ndeshjes, ka luksin të aktivizojë edhe lojtarë rinj, të cilët e justifikuan besimin e brazilianit. Megjithatë edhe në fraksionin e dytë,Tirana kërkon goleadën, ku kërkon përsëri Sentamu të shënojë golin e dytë personal. Pikërisht në minutat 58′ dhe 62′, Sentamu frenohet nga portieri Spahiu,një nga më të mirët në fushë për Naftëtarin. Ndërkohë Spahiu, do të frenojë edhe gjuajtjen e Uellison në minutën e 72-të. Fundi i ndeshjes do të rezervojë golin e 4-t për Tiranën,ku shënon i riu Patrik Bardhi. Gjuajtja e tij nga distanca përplaset në traversë dhe përfundon në rrjetë. Një fitore pa shumë histori për Tiranën.
NAFTËTARI – TIRANA 0 – 4
Shënues: Karabeci 31′(11-m), Ngo 36′, Sentamu 45+1′, Bardhi 85′
Naftëtari: Spahiu, Hadaj, Llojku (Behari 46′), E. Kajo, J. Haxhiu, K. Pepa, Nallbati, Koroveshi, Marra (Marini 67′), Allkanjari, A. Pepa. Trajner: B. Fraholli (Në dispozicion: Gorovelli, Jaupi, Hoxha).
Tirana: Lika, Kërçiku, Çelhaka, Uellison, Cake (Ahmetaj 76′), Maveje, Karabeci, Daja, Greca, Sentamu (Bardhi 66′), Ngoo (Halili 66′). Trajner: Ze Maria. (Në dispozicion: Qilimi, Nuri, Turtulli).
GJYQTARË: E. Hoxha, E. Muça, E. Gjoka (Lezhë)
Kartonë të verdhë: K. Pepa 31′ / Kërçiku 45’ Ngoo 49′
Pas ndeshjes…
- Fraholli, trajneri i Naftëtarit: “Skuadra ka luajtur me të gjitha mundësitë që ka pasur përballë një kundërshtari që njihet për vlerat që ka dhe për diferencën që bën jo vetëm me ne, por me të gjitha skuadrat e tjera të së Parës. Kam gjithë të drejtën të dyshoj ashtu sikur sportdashësit në stadium, se më parë kryesori Hoxha duhej të akordonte një 11-metërsh për Naftëtarin, dhe s’kishte arsye për t’u nxituar në akordimin e një 11-metërshi për Tiranën. Kryeqytetasit nuk kanë nevojë të ndihmohen nga arbitrat. Kjo periudhë pushimi do të na vlejë shumë, për merkaton si dhe ndërtimin e një ekip që të mbijetojë në të Parën”.
Ze Maria, trajneri i Tiranës: “Në Kuçovë kemi treguar se kampionatin e respektojmë me nota maksimale dhe nuk i shohim kundërshtarët nga pozitat që kanë në renditje. Besoj se, me këtë fitore ne nuk kemi bërë asgjë më shumë se sa detyrën tonë. Ndërsa do të kemi një periudhë dy-javore që do t’i shërbejë shumë skuadrës për t’u rigjeneruar në aspektin fizik. Në mënyrë që të nisim minifazën e dimrit me një ritëm akoma më të lartë që do t’i shërbej si kondicionit fizik, ashtu edhe qëndrueshmërisë deri në fund të këtij sezoni futbollistik, ku Tirana ka pretendimin e dyfishtë, jo vetëm për t’u shpallur kampione e Kategorisë së Parë, por edhe në Kupë, ku kërkojmë të jemi fitues të saj”.
Të veçantat
– Pas afro tre dekadave, skuadra e Tiranës rikthehet në Kuçovë dhe luan me Naftëtarin.
– Ky takim është ndjekur nga rreth 2000 shikues vendas, por kishte edhe të ardhur nga Berati. Por, pas pjesës së parë, në mënyrë të veçantë kur rezultati ishte dukshëm i pashpresë për përmbysje nga ana e Naftëtarit, tifozeria vendase është larguar gradualisht nga stadiumi.
– Për skuadrën e Tiranës fusha e stadiumit “Bashkim Sulejmani” ka rezultuar me fat gjatë pjesës së parë të këtij kampionati, ku fillimisht ka mundur Tomorin 2 – 0 që luante në Kuçovë si fushë pritëse, dhe së fundi ndaj Naftëtarit vendas.
– Të pranishëm në Kuçovë për të ndjekur skuadrën e tyre të zemrës edhe rreth 30 tifozë të grupimit të njohur “Tirona Fanatics”, të cilët në mënyrë të veçantë pas golit të dytë kanë demonstruar gëzimin e golave duke kthyer shpinën nga fusha, një veprim ky që është komentuar në Kuçovë si një mosdakordësi me skuadrën”.
– Prania e presidentit të Tiranës Refik Halili në Kuçovë, është konstatuar vetëm pasi takimi kishte nisur me disa minuta, dhe vonesa e tij është argumentuar për arsye objektive dhe vonesë të trafikut.