Tifozët e Tiranës kritikojnë pas Teutës, Ernest Muçi ka shembujt që nuk duhet të preki për asnjë arsye

Nga Klaudio Ndreca

Tirana e humbi Superkupën e Shqipërisë në përballjen kundër Teutës, duke u mundur në shifrat 1-2. Një shije e hidhur për tifozët bardheblu që i largohet edhe një trofe nga duart pas Kupës, që e ka fituar sërish ekipi durrsak, vetëm se këtë herë çështja nuk rrotullohet rreth fiksimit për të “rrëmbyer” gjithçka në Shqipëri. Triumfi në Superiore duke ngritur titullin kampion në sezonin e shkuar ishte gëzimi i madh për bardheblutë, të cilët tanimë kërkojnë vazhdimin e një projekti që ekipi i tyre të eci në rrugën e Skënderbeut të dikurshëm.

Ndeshjet e Europës e ngritën së tepërmi entuziazmin, ku më tepër ajo që bindi ishte në mënyrë ironike humbja ndaj Crvena Zvezdës sesa fitorja në Gjeorgji. Një performancë për notën “10” nga ana e Tiranës që dominoi kampionët e Serbisë, të cilët arrijnë edhe në grupet e “Champions League”, por yjet u shuan në Shqipëri, të paktën në lojë. Duke i bashkuar këtu edhe kualifikimin ndaj Dinamo Tbilisit, krijuan përshtypjen se rikthimi në ndeshjet ndaj ekipeve shqiptare do i gjente bardheblutë disi më superior.

Por kjo nuk ndodhi ndaj Teutës, teksa qartësisht u pa se ekipi i Martinit nuk vodhi asgjë dhe meritoi ngritjen e trofeut. Paraqitjet e dobëta të Likës e kanë menjëherë zgjidhjen e tyre, pasi Visar Bekaj është duke veshur dorashkat dhe duke bërë nxehmjen për të marrë rolin e titullarit.

Pyetja që është shtruar nga ana e tifozëve pas humbjes është se çfarë ndodhi me Ernest Muçin? Flasim për një djalosh 19-vjeçar dhe që ka gjithë potencialin për t’u bërë lojtar i rëndësishëm edhe në Kombëtare, jo vetëm te Tirana. Jo më kot do ta përgëzonte edhe trajneri Dejan Stankoviç menjëherë pas ndeshjes me Zvezdën pasi dallonte nga të tjerët.

E megjithatë performanca e Muçit ndaj Teutës ishte për t’u harruar. Shumë pasime të gabuara në aksionet sulmuese, hapësirat të cilat nuk sulmoheshin, pa bërë presion të lartë ndaj kundërshtarëve dhe qëndrimi thuajse statik në fushën e lojës bënë që bardheblutë të mos kërcënonin shumë portën kundërshtare.

Vetëbesimin e një lojtari që është “ushqimi” më i mirë për t’u bërë futbollist i madh me vetëkënaqësinë e tepruar që të prish karrierën, e ndan vetëm një vijë e hollë. Shqipëria ka pasur me shumicë lojtarë që e kanë kapërcyer këtë vijë duke rezultuar e keqja më e madhe e vetvetes së tyre, për të mos e bërë kurrë hapin gjigand. E këto shembuj që gjenden me shumicë nuk duhet t’i ndjekë kurrsesi Muçi, me tifozët e Tiranës që kanë reaguar për ndeshjen e dobët menjëherë në faqen zyrtare pas Teutës. Pra një “tërheqje veshi” do të duhej në këtë moment për vetë karrierën e këtij djaloshi, pasi në një finale Superkupe nuk mund të shijohet performanca e kaluar në ndeshjen e Europës. Aftësitë dhe potenciali mbetet aty, por fanella duhet të djersitet pas çdo ndeshje. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *