Elseid Hysaj ka fituar vetëm me një video gjithë urrejtjen e tifozëve të Lacios. Mbrojtësi shqiptar ka kënduar “Bella ciao” në prezantimin e tij përpara shokëve të skuadrës, duke mos iu shmangur dot ritit. Por kjo ka sjellë reagimin e ashpër të tifozëve që kanë një qëndrim tërësisht tjetër nga domethënia e këngës. Sipas raportimit të mediave italiane, grupimi i tifozëve të Lacios është nisur menjëherë drejt picerisë ku ishte mbledhur ekipi duke kërkuar përplasjen me Elseid Hysajn. Megjithatë e gjithë skuadra ishte larguar dhe ishin kthyer në hotel.
Kështu do të zhvendosej edhe vendi, me tifozët që mbërritën në hotelin e Lacios. Atje ishte Igli Tare që ka dalë dhe është munduar që t’i qetësojë tifozët. Nga ana tjetër në mediat italiane thuhet se trajneri Sarri ishte në siklet të madh. Megjithëse nuk e shihte këtë veprim të Hysajt si të gabuar për të mbërritur në revolta të tilla, nga ana tjetër nuk dëshironte përplasjen e dytë me tifozët në pak kohë pasi mbrojti Muriqin. /Sport Ekspres/