Tifozët e kujtojnë ende si lojtar, Thiago Motta debuton në Seria A si të kishte një jetë si trajner

Thiago Motta ka debutuar në Seria A me fitore në mbrëmjen e sotme si trajneri i Genoas. Këta të fundit kanë fituar me përmbysje ndaj Breshias me rezultatin 3-1. Për tifozët e futbollit ende Motta kujtohet si lojtar dhe ende nuk jemi mësuar që të shohim në pankinë.

Menjëherë në debutimin e tij ka treguar nuhatjen e madhe për kuptimin e lojës. Fillimisht për ta nisur me faktin se Genoa nuk kishte gjetur fitoren në 7 ndeshjet e fundit dhe ishte në krizë të madhe. Por më e rëndësishmja është mënyra sesi u përmbys i gjithë rezultati.

Breshia kishte kaluar e para në avantazh me Tonalin në minutën e 34. Mota ka bërë tre ndërrime brenda minutës së 66, duke aktivizuar Agudelon, Pandev dhe Kouame. Të tre këta lojtarë që u futën si zëvendësues në pjesën e dytë arritën që të shënonin për të përmbysur shifrat në 3-1. Një debutim ky i trajnerit Thiago Motta, por nuhatje më të madhe ndoshta nuk mund të kishte as një teknik me vite mbi shpatulla. /Sport Ekspres/