Atalanta ishte shumë pranë fitores së Kupës së Italisë, teksa u mposht me rezultatin 2-1 nga Juventus. Kjo disfatë i dëshpëroi shumë tifozët e Atalantës, të cilët prisnin ta kurorëzonin sezonin 2020-2021 me një trofe. Inati i tyre duket se nuk ka përfunduar me kaq, pasi ditën e djeshme i kanë bërë thirrje skuadrës së tyre që të luajë me Primaverat ndaj Milanit, në mënyrë që ta humbin ndeshjen.
Kështu hakmarrja e tifozëve të Atalantës ndaj Juves do të plotësohej, teksa kjo e fundit do të humbte shansin për tu kualifikuar në Champions League. “Ne e merituam atë Kupë pas sezonit të shkëlqyer në kampionat, dhe paraqitja e pjesës së parë ishte një shembull i shkëlqyeshëm, ata bënë vetëm dy goditje në portë, Ronaldo nuk u pa”, tha një tifoz i Atalantas jashtë stadiumit Mapei. “Le të luajmë me Primavera-n (skuadra e të rinjve) kundër Milan-it, Juve nuk e meriton Champions-in”, sugjeroi një mbështetës i zemëruar. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/