Në Itali e quajnë thuajse të kryer kalimin e Marash Kumbullës te Lazio. Igli Tare dhe Lotito kanë takuar në Romë ditën e djeshme presidentin e Veronës, Setti. Përfundimi ka qenë pozitiv dhe duket se bardhekaltrit kanë marrë dritën jeshile si nga lojtari ashtu edhe nga klubi. Ofertat e servirura nga Tare kanë qenë dy. E para konsiston në 18 milionë euro dhe 2 bonus, ndërsa i jep të drejtë zgjedhje Veronës për të marrë dy lojtarë të Lazios. Emrat e lojtarëve të përfshirë në këtë ujdi janë Lombardi, Kiyine, Maistro dhe shqiptari Berisha.
Ndërkohë alternativa e dytë për Veronën është ajo e 20 milionë eurove dhe 2 milionë të tjera bonuse, ndërsa këtë herë do të mund të zgjedhë vetëm një futbollist nga ata që bardhekaltrit ofrojnë. Oferta bindëse dhe tunduese këto për klubin verdheblu dhe Lazio është e gatshme të mbyllë marrëveshjen brenda datën 30 qershor.
Ndërkaq në krahun tjetër “Tuttomercattoweb“ bën me dije se Kumbulla do të përfitojë nja kontratë 5-vjeçare me bardhekaltrit, nga ku do të mund të marrë një pagë të majme prej 1.5 milionë eurosh në sezon. Kujtojmë se talenti kuqezi është një nga më pak të paguarit për momenti, teksa rroga e tij aktuale nuk i kalon më tepër se 8 mijë euro në muaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/