Djemtë e Stavri Nicës sfidojnë sot myzeqarët, që në fazën e parë i mundën, duke u sjellë shumë probleme. Durrsakët kanë shumë arsye për fitore
Për Teutën nis një epokë e re, me teknikun Stavri Nica, i cili rikthehet të drejtojë skuadrën e qytetit të tij. Me një “timonier” të ri, durrsakët synojnë ta nisin vitin mbarë. Gjysma e parë e sezonit ka pasur shumë probleme dhe skuadra nuk e gjeti në asnjë moment ekuilibrin. Renditja i shqetëson jo pak “Djemtë e detit”, që kanë si synim ta nisin me fitore vitin 2018, aq më tepër që luajnë në shtëpi dhe ndaj ekipit që mbyll tabelën e renditjes. Megjithatë, Lushnja nuk është aspak për t’u nënvlerësuar, pasi në fazën e parë ishin pikërisht myzeqarët ata që fitonin ndaj Teutës. Në stadiumin “Niko Dovana”, ku pritet që skuadra të ketë edhe mbështetjen e tifozëve, konsiderohet i papranueshëm një hap fals përballë skuadrës që mbyll klasifikimin.
Fitorja do të ishte edhe një formë “hakmarrjeje” për disfatën që pësuan në fushën e lushnjarëve. Trajneri Nica kërkon fitoren në debutim dhe skuadra duhet të tregojë se ka ndryshuar fytyrë dhe nuk është ashtu e brishtë si më parë, kur ndëshkohej pasi shënonte. “Fillimi i mbarë, gjysma e punës”, kështu që sot trepikëshi është i domosdoshëm për Teutën në një kampionat kaq të ashpër sa ky i këtij sezoni. Edhe nga ana morale do të ishte një plus i madh, duke marrë në konsideratë ulje-ngritjet që ka pasur ekipi gjatë 16 javëve të para. Teuta është e detyruar të fitojë në shtëpi.
FORMACIONI – Me shumë interes pritet formacioni, që do të herë në fushë tekniku Nica. Skuadra ka pësuar shumë ndryshime dhe duhet pritur për të parë rreshtimin dhe titullarët. Vetë lojtarët kanë deklaruar se ekipi ka punuar më shumë në aspektin mbrojtës, por edhe në repartet e tjera ka pasur ndryshime. Pas ndeshjes së sotme mund të krijohet një ide më e qartë për Teutën e Nicës.
Formacioni i mundshëm i Teutës
Kastrati – Gjeorgjievski, Hërkaç, Shkalla, A.Bilali – Çmajçanin, D.Bilali, Mustafov – Hila, Çyrbja – Latif