Klubi durrsak ka bërë të ditur zyrtarisht se skuadra do të drejtohet sërish nga trajneri Stavri Nica, i cili paralajmëroi largimin pas humbjes së fundit
Drejtuesit e Teutës nuk do ta lejojnë trajnerin Stavri Nica të largohet nga stoli i skuadrës së tyre. Ky është vendimi që është bërë i ditur zyrtarisht nga klubi dje në mbrëmje. Kështu, trajneri Nica do të vazhdojë ta drejtojë Teutën në vazhdim të sezonit, pasi klubi gjykon se nuk është ai përgjegjës për rezultatet jo të mira të javëve të fundit.
DEKLARATA Pas humbjes në Niko Dovana me Luftëtarin, trajneri durrsak u shpreh se ka mbyllur më këtë lloj futbollit, duke lënë të nënkuptohej largimin e tij nga Teuta. Ishte tejet i zhgënjyer nga të tijtë, të cilët u mundën 2-3 dhe goli i tretë i pësuar ishte një autogol i pabesueshëm. Ndoshta ishte një vendim i momentit i tij, e ndikuar nga emocionet negative të humbjes, kurse dje ka pasur zhvillime të reja. Ka qenë vetë klubi durrsak, që me një postim në facebook konfirmonte qëndrimin e trajnerit Nica: Ju bëjmë me dije se trajneri Stavri Nica do të vazhdojë të jetë trajner i Teutës në vazhdim të sezonit, – shkruante klubi durrsak.
KUPA – Angazhimi i parë i Teutës pas humbjes me Luftëtarin në shtëpi është ndeshja e Kupës së Shqipërisë me Skënderbeun. Është ndeshja e kthimit çerekfinale dhe duke qenë se të parën e kanë fituar korçarët 0-2, në këtë transfertë pritet që durrsakët të paraqiten me futbollistë të stolit, sepse kanë shanse minimale për kualifikimin, për të mos thënë se e kanë të pamundur atë. Madje, ndeshja e së mërkurës në Korçë më shumë do të jetë një strapacim për Teutën nga udhëtimi. Trajneri Nica pritet të lërë pushim për këtë takim shumicën e titullarëve.
VLLAZNIA Teuta luan një ndeshje vendimtare në javën e 20-të të kampionatit, shkon në fushën e Vllaznisë, që është edhe rivalja e saj e drejtpërdrejtë në garën e mbijetesës në Superiore. Një ndeshje shuam e rëndësishme, ku durrsakët duhet të shmangin humbjen me çdo kusht. Në fakt, Teutës i ka ecur me Vllazninë në kampionat, pasi e ka mundur dy herë, edhe në stadiumin Loro Boriçi. Këtë herë do të jetë shumë e vështirë, pasi gjendja psikologjike është e rënduar disi nga rezultatet e fundit, por edhe për faktin se kundërshtari ka avantazhin e fushës. Nuk është se kjo ndeshje përcakton gjithçka, por ndikon në ecurinë e mëtejshme. Vllaznia e ka parakaluar Teutën në tabelën e renditjes, pas fitores së saj në fushën e Lushnjës dhe humbjes së durrsakëve me Luftëtarin. Gjithsesi, shpresohet që skuadra durrsake do të reagojë këtë javë, edhe pse kalendari i rezervon një sfidë shumë të vështirë.