Një disfatë në Vlorë nuk është fundi i botës, duke parë edhe mungesat e shumta, por natyrisht trajneri Begeja do të bëjë shumë ndryshime në fundjavë
Teuta shkoi në Vlorë duke e ditur që me mungesat që kishte do të haste probleme, por forma e dy muajve të fundit i jepte shpresa të mëdha për pikë, aq më shumë që Flamurtari ishte në moment mjaft të vështirë. Megjithatë, në fund erdhi një humbje e hidhur, mbi të gjitha për mënyrën si shkoi ndeshja, sepse ishte Teuta që shënoi e para dhe zakonisht durrsakët nuk bëjnë aq shumë gabime në mbrojtje, si ndodhi në pjesën e parë në Vlorë. Peng mbetet edhe penallti e humbur nga Dediç, ashtu si rasti i pastër i tij në minutat e fundit të ndeshjes, por trajneri Begeja ka analizuar me kujdes gabimet që u panë në aspektin mbrojtës dhe jo rastësisht bëri ndryshime që në pushimin e ndeshjes në Vlorë, duke rregulluar jo pak gjëra, edhe pse nuk erdhën më gola.
KAMZA – Teuta ka nisur dje stërvitjen për të përgatitur sfidën e fundjavës ndaj Kamzës dhe e gjithë mendja është aty. Begeja po mundohet të qetësojë skuadrën dhe të rigjejë lojën që kishte deri para Flamurtarit, pasi kundër Kamzës as barazimi nuk lejohet. Situata në renditje është shumë shqetësuese, aq më shumë që pas Kamzës durrsakët do të luajnë kundër Partizanit e Skënderbeut në transfertë dhe ndaj Kukësit në shtëpi. Tre ndeshje tepër të ndërlikuara, por që nuk janë në mendjen e askujt, sepse të dielën është finalja më e rëndësishme.
FORMACIONI TRANSFORMOHET – Reparti më i gjymtuar në Vlorë ishte mbrojtja dhe defektet ishin të dukshme. Kthehet Ante Hërkaç, i cili ka lënë pas dëmtimin dhe dje u stërvit me skuadrën, ndërsa kthehet nga pezullimi Bojan Gjorgievski, edhe ky titullar në formacionin durrsak. Në mesfushë kthehet po ashtu nga pezullimi Ardit Hila, edhe ky lojtar kyç, por në mbrojtje do të mungojë për pezullim Amir Bilali, i cili ka luajtur 12 ndeshje si titullar në kampionat që prej kthimit në Superiore, në janar. Në këtë mënyrë, formacioni do të kthehet thuajse ai i ndeshjes kundër Teutës, por me dilemën se kush do të zëvendësojë Bilalin, edhe pse Shkallës i takon të luajë në vend të tij.