Tërbuni shkëlqen në Shkodër, Vllaznia B në rënie të lirë

Skuadra e dytë shkodrane humbet përsëri në shtëpi. Këtë herë derbin verior e fiton Tërbuni i Pukës

Gaspër Marku

Edhe kjo javë nuk ka rezultuar pozitive për Vllazninë B. Pas humbjes një javë më parë me Egnatian në shtëpi, u premtua se trepikëshi do të rikuperohej në ndeshjen e radhës që shorti e përcaktonte përsëri në shtëpi me Tërbunin e Pukës. Por, kuqeblutë e B-së janë mundur përsëri me të njëjtin rezultat 0-1. Humbje kjo që e lë Vllazninë B në pozitat e 11 pikëve, duke ndikuar në një farë mënyrë, jo vetëm në mosrealizimin e objektivit të marrë për t’u renditur në pesë vendet e para, por aktualisht pas kësaj jave, Vllaznia B është e parafundit në tabelën e klasifikimit me 11 pikë, duke lënë prapa vetëm Burrelin me 6 pikë. Ndërkohë që Tërbuni me këtë fitore ngjitet në vendin e tetë me 12 pikë, një mbi Vllazninë B.

Ndeshja – Ballafaqimi, Vllaznia B-Tërbuni, ose i konsideruar edhe si derbi i qarkut të Shkodrës, krahas të tjerave përballte edhe dy skuadra me përbërje shkodrane. Në skuadrën pukjane luajnë disa futbollistë shkodranë, ndërkohë që përballë njëri-tjetrit ishin edhe dy trajnerë shkodranë, Ervis Kraja(Vllaznia) dhe Kreshnik Krepi (Tërbuni). Dhe, për të shkuar më tej, përballë njëri tjetrit ishin edhe dy vëllezër, Denis Balaj (Vllaznia) dhe Izmir Balaj (Tërbuni), që të dy nga Kopliku, djem xhaxhallarësh me futbollistin e kombëtares, Bekim Balaj. I luajtur pasditen e së shtunës në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës, takimi ka filluar në mënyrën më të mirë për skuadrën pukjane. Mezini, një nga më të mirët e Tërbunit, përmes një gjuajtje potente nga rreth 20 metra arrin të shënojë në portën shkodrane të mbrojtur nga Vjerdha. Përpos entuziazmit, goli i avantazhit u jep më tepër besim pukjanëve për të administruar rezultatin. Por, nuk e kanë qenë aspak të lehtë për miqtë nga Puka, sepse futbollistët kuqeblu janë hedhur të gjithë në sulm në kërkim të golit të barazimit. Rastet e Djepaxhisë në minutën e 20-të dhe Pusit në të 27-ten vënë nën presion portën pukjane që ruhet me fanatizëm nga një shkodran, si Rexhepi. Ndërkohë, në pjesën e parë, përpos golit, Mezini kishte edhe një tjetër shënimi në minutën e pestë për të vijuar më pas me Shabën dhe Hasën, përkatësisht në minutat 12-të dhe 30-të. Mbyllja e pjesës së parë shoqërohet me pak konfuzion. Në kampin kuqeblu janë të irrituar me pretendimin se gjyqtari e ka mbyllur dy minuta përpara kohës së rregullt, ku nga protestat e pëson trajneri Kraja, i cili me vendim të arbitrit largohet nga pankina kuqeblu për ta ndjekur ndeshjen diku tjetër. Ndërkohë, 45 minutat e dyta, me gjithë përpjekjen e vendasve për të gjetur golin e barazimit, ata nuk e arrijnë një gjë të tillë. Kjo, edhe për faktin se përballë kanë një Tërbun shumë të mobilizuar, që jo vetëm e mbron me fanatizëm avantazhin, por kërcënon disa herë të tjera me protagonist, Stivi Shabën në 49-ën minutë, e më pas Saliaj, Nimani dhe Hoxha.

Krepi: Duhet të fitojmë më thellë

Kreshnik Krepi, pranon se fitorja ishte e merituar dhe ai kërkon t’ia dedikojë kryetarit të Bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj, duke e falënderuar për korrektësinë financiare që ka pasur gjatë kësaj periudhe me skuadrën. Përsa i përket lojës, tekniku Krepi thotë se: ”Si rezultat i presingut  ultra ofensiv erdhi edhe goli, i cili na dha qetësinë në administrimin e lojës”. Ai shton se përsëri vazhdojnë të vuajnë në finalizimin dhe shpërdorimin e shumë rasteve. Në prononcimet e pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë B, Ervis Kraja ka ankesa të shumta për gjykimin, që sipas tij e kishte paralajmëruar një gjë e tillë edhe përpara ndeshjes. Ndërkohë, humbja e djeshme bën që Kraja ta shohë disi të pamundur mbajtjen e premtimit të marrë për t’u renditur në pesë vendet e para të grupit A.

Vllaznia B – Tërbuni      0-1

Shënues: Mezini 10′

Vllaznia B: Vjerdha, Miloti (Kola 35′), Isufi, D. Balaj, Hyseni, Dema, Bega, Kapaklija, Djepaxhia (Brahimi 65′), Erkoçeviq (Hallunaj 80′), Pusi. Në dispozicion: Eldi Hasani, Hoti, Kushi, Hoxha.

Trajner: Ervis Kraja

Tërbuni: Rexhepi, I. Balaj, Beci, Rrustemaj, Prendi, Pepaj, Saliaj (Shytani 85′), Mezini, Nimani, Hasaj, Shaba (Hoxhaj 69′). Në dispozicion: Ujka, Blinishta, Janot, Mehidri, Zagani.

Trajner: Kreshnik Krepi.

Gjyqtarë: E. Hala, P. Puto, Q. Shehaj, Xh. Memçi

Kartonë të verdhë: Erkoçeviq 40′, D.Balaj 75′, Isufi 75′ / I.Balaj 8′, Nimani 46′

Vëzhgues: Prek Pjetrushi; Delegat: Agim Mone

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *