Tërbuni ndal Kastriotin me një “eurogol”

Pukjanët kanë barazuar në shtëpi me krutanët, që i kishin fituar tre ndeshjet e para në kampionat. Markut iu përgjigj Taku me një gol mjaft të bukur

Gani Pema

Tërbuni u përballë me Kastriotin kryesues për llogari të javës së katërt të Kategorisë së Parë dhe arriti t’i ndalë krutanët, që shënuan të parët, madje me një lojtar pukjan si Taulant Marku. Kundërpërgjigja e ekipit të drejtuar nga Kreshnik Krepi erdhi në pjesën e parë me Takun dhe deri në fund rezultati nuk ndryshoi, duke bërë që Tërbuni e Kastrioti të ndanin nga një pikë..

NDESHJA – Pukjanët e nisën ndeshjen në sulm dhe iu afruan golit që në minutat e para, por Saliaj dhe Prendi nuk ishin të saktë përballë portieri Kuka, që e mbajti fillimisht rrjetën të paprekur. Rasti më i mirë për Tërbunin u regjistrua anë minutën e 17, kur Mezini godet shtyllën pingule të portës krutane pas një pasimi të marrë nga Beci. Kur nuk shënon e pëson dhe kështu ndodhi. Një kundërsulm i Kastriotit me protagonist Malindin dhe Karakaçin, u konkretizua nga sulmuesi Marku, që mposhti portierin Rexhepi. 0-1 dhe Tërbuni zgjohet dhe kërkon sa më parë të baraspeshojë shifrat, por Kuka është në gatishmëri në çdo moment. Shkodrani Abaz Karakaçi provon në 35’ me një goditje nga distanca, që nuk ka saktësinë e duhur. Pesë minuta më vonë, Taku me një goditjë nga 18 metra shënon një “eurogol”, duke e shtangur portierin Kuka, i cili detyrohet të nxjerrë topin nga rrjeta. Saliaj iu afrua edhe golit të dytë, por pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1. Kastrioti kërkon fitoren dhe tenton të gjejë rrugën e rrjetës me mesfushorin Caca, ndërkohë që vendasit pretenduan për një penallti në 75’, kur mesfushori Prendi përfundoi i rrëzuar në zonë, por nuk ka 11-metërsh. Taku dhe Saliaj rrezikuan më pas për Tërbunin, që nuk ia del t’i gëzohet golit të avantazhit, pasi Kuka është në lartësinë e duhur dhe shpëton skuadrën e tij. Krepi i bëri tri zëvendësimet në 10 minutat e fundit, teksa pati një rritje të ritmit, por deri në fund nuk pati më gol dhe gjithçka u mbyll në barazim. Pukjanët mbeten në kërkim të fitores së parë, pasi në katër javët e para kanë marrë tre barazime dhe janë mposhtur nga Besa në Kavajë. Kastrioti mbetet në vend të parë, me 10 pikë të grumbulluara deri më tani.

Tërbuni – Kastrioti        1-1

Shënues: Taku 40’ / Marku 19’

Tërbuni: Rexhepi, Balaj, Beci, Zagani, Rrustemaj (Hoxhaj 71’), Mezini, Taku, Prendi (Pepa 82’), Hasaj, Janot (Nimani 80’), Saliaj. (Në dispozicion: Mehidri, Neziri, Blinishta, Ujka). Trajner: K. Krepi

Kastrioti: Kuka, Hoxha, Lila, Çela, Boçi, Mziu, Dyca (Lilaj 70’), Karakaçi, Caca (Borshi 82’), Malindi, Marku (Husein 60’). (Në dispozicion: Spahija, Neziri, Kabiru, Muçmata). Trajner: S. Nikaj

Gjyqtarë: E. Durmishi, D. Agaraj, D. Myftari

Delegat: Justin Bespalla; Vëzhgues: Idriz Gashi

 

Kryebashkiaku Gjonaj përgëzon lojtarët

Në fund të ndeshjes, presidenti i Tërbunit, Gjon Gjonaj, që ishte i pranishëm në stadium, takoi lojtaret dhe i përgëzoi për lojën e bukur. “Ju përgëzoj për lojën që krijuat. Kishit shumë raste për të shënuar dhe dua që të luani edhe më fort për të arritur fitoren. Mbështetja ime nuk do t’iu mungojë në asnjë rast”, u tha Gjonaj futbollistëve pukjanë pas ndeshjes me Kastriotin, që përfundoi në barazim 1-1.

 

Kreshnik Krepi, trajneri i Tërbunit – “Jam i kënaqur me lojtarët, pasi zhvilluan një lojë mjaft të bukur kundër një ekipi të fortë si Kastrioti. Goli i pësuar erdhi nga pakujdesia jonë, por gjithsesi lojtarët u zgjuan dhe sulmuan për të fituar, por fati nuk ishte në krahun tonë. Kishim mundësi të shënonim më shuam. Edhe pse me mungesa, ato nuk ndikuan. Do vazhdojmë të luajmë për pikë, që të ngjitemi në shkallët e klasifikimit. Barazimi i marrë është i dëmshëm, por do arrijmë t’i rikuperojmë pikët e lëna. Më erdhi keq, pasi na u mohua një penallti, por nuk do të merrem me gjyqtarët. I uroj suksese Kastriotit, që zhvilloi një lojë të bukur. Tërbuni sot duhet të kishte 8 pikë, por tashmë duhet të shohim sfidat e ardhshme”.  

Samuel Nikaj, trajneri i Kastriotit – “Kishim ardhur në Puke për një rezultat pozitiv dhe e kishim marre parasysh forcën e Tërbunit. U zhvillua një lojë e bukur, ku te dy ekipit sulmuan. Edhe ne kishim shumë raste për të kaluar në avantazh. Kundërshtari na vuri në pozicion të vështirë, por gjithsesi jam i kënaqur me barazimin dhe me lojën. Tërbunit i uroj që të jetë në pesëshen e parë në klasifikim. Ekipi im është në rrugë të mbarë, pasi jemi ndërtuar për Superiore”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *