Ndeshja e sotme mes Erzenit e Vllaznisë B është shoqëruar me tension të jashtëzakonshëm, për shkak të acarimit të tifozerisë shijakase, që inatin e humbjes dëshironte ta nxirrte mbi lojtarët shkodranë, por edhe mbi arbitrin. Sipas shijakasve, lojtarët shkodranë i provokuan pas daljes nga fusha, ndaj stadiumi ka mbetur i rrethuar për minuta të tëra.
Gjatë kësaj kohe nga policia ka shoqëruar disa persona për në polici, teksa ka hasur edhe në rezistencën e tifozëve, të cilët kanë mbyllur derën kryesore të stadiumit për disa minuta, duke mos lejuar as forcat e rendit të dilnin pa lëshuar të shoqëruarit. Dera kryesore është hapur pas negociatave të shefit të klubit me tifozët. Një numër i madh tifozësh kanë bërë rezistencë duke pasur dhe konflikt fizik me forcat e rendit, të cilat edhe pse të ndihmuar nga Forcat Speciale të Durrësit, e kanë pasur të vështirë.