Sipas urdhrit të UEFA-s, Skënderbeu-Dinamo Kiev u luajt me dyer të mbyllura, sepse fusha e Skënderbeut ishte e dënuar. Duke respektuar rregulloren, të dyja palët kanë një numër të limituar personash që mund të marrin në stadium, drejtues e gazetarë, por asnjë tifoz. Numri duhej të ishte i limituar, por dje në stadium ishin mbi 100 ukrainas. Interesante ishte skena në “Elbasan Arena” disa dhjetëra persona janë duke bërë tifozllëk për Dinamon dhe duket qartë që nuk janë gazetarë, pasi askush nuk po mbante shënime.
– Gazetarët ukrainas i kushtuan shumë rëndësi ditën e djeshme Elbasanit, duke nisur nga stadiumi dhe deri te shitësit ambulantë e karrocat që lëviznin nëpër rrugët kryesore, ndërkohë që kanë evidentuar edhe masat organizative. Gjithashtu, gjatë ditës ata kanë shijuar edhe gatimet tradicionale vendase, përfshirë ëmbëlsirën karakteristike elbasanase, ballokumen.
– Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ishte i pranishëm dje në “Elbasan Arena”. Po ashtu, ishte edhe trajneri i Kombëtares sonë, Kristian Panuçi, i cili e vuajti jo pak të ftohtin, por gjithsesi në fund ishte mjaft i gëzuar për fitoren dhe u përshëndet me të pranishmit, duke mos u larguar menjëherë.
– Në Korçë ndeshja u ndoq me interes të madh në lokale e pabe, me entuziazëm të pamasë për golat. Edhe pas ndeshjes gëzimi ishte i madh, pavarësisht eliminimit.
– Salla e konferencës për shtyp ishte plot pas ndeshjes. 50 gazetarë të pranishëm, shumica ukrainas, por vetëm dy pyetje për trajnerin e Dinamos, i cili ishte dukshëm nervoz!