Momente frike në dhomat e zhveshjes të Laçit pas ndeshjes së djeshme në Korçë. Kur dy trajnerët ishin duke folur për gazetarët, të gjithë kanë vrapuar te dhoma e Laçit, ku diçka kishte ndodhur. Edhe stafi mjekësor i Skënderbeut ka shkuar aty, pasi sulmuesi Rexhinaldo ka pasur probleme shëndetësore. Lojtari nga Mozambiku luajti me temperaturë dhe pak pas ndeshjes kishte dridhje dhe ethe të forta. Pas ndërhyrjes së stafeve mjekësore është qetësuar situata dhe lojtari ka udhëtuar bashkë me ekipin në drejtim të Laçit. Ishin momente paniku, por që kanë kaluar pa probleme serioze për lojtarin e skuadrës kurbinase.
Tifozët bojkotojnë një pjesë
Ajo që ishte e veçantë në ndeshjen Skënderbeu-Laçi, ka të bëjë me bojkotin e ultrasve të ekipit korçar për gjithë pjesën e parë. Ishte një bojkot i pjesshëm në shenjë proteste për faktin se tifozëve korçarë u ka shkuar në shtëpi policia, duke i akuzuar për prishje të qetësisë në ndeshjen me Partizanin, ku klubi korçar mori edhe një gjobë financiare. Ja dhe episodet më të veçanta të ndeshjes së djeshme:
– Takimin e djeshëm mes Skënderbeut dhe Laçit nuk e kanë ndjekur më shumë se 2 mijë tifozë, edhe pse temperaturat në qytetin juglindor kanë qenë perfekte.
– 20 minuta përpara fillimit të takimit ra në sy një banderolë e gjatë, që u vendos nga krerët e Ujqërve të dëborës, ku shkruhej: Futbolli pa tifozë nuk vlen!!!. Më pas kanë ndërhyrë drejtuesit e klubit korçar, duke e hequr atë.
– Bojkoti i ultrasve të Skënderbeut për pjesën e parë. Bojkot që lidhet me veprimin e uniformave blu, që kanë shkuar deri në familjet e ultrasve, për shkak të rrëmujave që ndodhën në ndeshjen me Partizanin. Në pjesën e parë ultrasit nuk janë dukur gjëkundi, ndërsa në pjesën e dytë kanë nxjerrë banderolat dhe kanë mbështetur ekipin e zemrës. Një bojkot, që zgjati vetëm 45 minuta.
– Në tribunën qendrore të stadiumit Skënderbeu ka rënë në sy dje mungesa e presidentit Ardjan Takaj, i cili mësohet se nuk ndodhet në Shqipëri. Pranë zv/presidentit Arlind Boshku ndodheshin administratori Gerhard Takaj dhe personalitete të tjera nga Korça. I pranishëm ishte edhe presidenti i Laçit, Pashk Laska.
– Fidan Aliti dhe Blerim Krasniqi kanë shënuar dje golat e parë me fanellën e Skënderbeut. Aliti ka luajtur rregullisht me korçarët, kurse Krasniqi, pas 5 minutave në Gjirokastër, dje ka luajtur 14 minuta të tjera, që i kanë mjaftuar për të tundur rrjetën.
– Ali Soue dje shënoi dygolëshin e dytë radhazi. Sulmuesi nga Gambia i shënoi dy gola edhe Kukësit pak ditë më parë, duke u ngjitur në kuotën e 10 golave.