Nga Klaudio Ndreca
Teksa jemi të mbërthyer ende nga Koronavirusi, shumë shtete kanë nisur me masa lehtësuese për qytetarët e tyre. Pandemia ka nisur të ul ritmin e saj dalëngadalë, me COVID-19 që duket se po e humbet fuqinë e tij shkatërruese dhe po e mbyll procesin.
Këtu flasim për shtetet më të prekura, pasi Ballkani ka shifra shumë më të vogla të personave të infektuar. Gjithsesi kryeministri Edi Rama është shprehur se Shqipëria është vendi që e ka përmbajtur më mirë këtë pandemi në gjithë Europën. Madje duke thënë se pikërisht për këtë arsye, masat lehtësuese që do të vijnë në vendin tonë, do të jenë ditë përpara vendeve më të prekura, për arsyen sepse jemi mbyllur edhe më herët në izolim.
Por realisht po rezulton e kundërta, pasi nëse në Spanjë njerëzit kanë dalë për vrap në ditën e sotme dhe në plazh, në Shqipëri mbetet në fuqi sërish vetëm një orar i kufizuar për pazar dhe për të shkuar në farmaci, madje duke u mbyllur në shtëpi për fundjavë.
Sa i përket futbollit, sërish vendi ynë futet tek të fundit që e kanë një përgjigje nga Qeveria. Por pritja e stërgjatë duket se do të mbyllet, për të ditur edhe verdiktin përfundimtar të shtetit. Në shumë raste është thënë se do të shihet edhe mënyra sesi do të veprohet në vende të Europës, për ta përshtatur realitetin e tyre në Shqipëri.
Në Angli dhe Itali do të nisin stërvitjet individuale skuadrat në ditën e nesërme. Si një tifoz i madh i Juventusit dhe duke dhënë leksione të ndryshme për futbollin italian, fotot nga stërvitja e parë e bardhezinjëve nuk do të kalojnë pa vëmendje nga kryeministri Edi Rama.
Pavarësisht se në Itali ka ende rreth 2000 infektime në ditë dhe në Shqipëri vetëm 10, në shtetin fqinj shohin edhe përtej krizës së Koronavirusit si rrezik infektimi. Gjithsesi edhe në vendin tonë pritet që brenda 48 orëve të ardhshme të kemi një vendim përfundimtar, ku një nder të madh do të na bëjnë dalja në stërvitje e ekipeve italiane dhe sidomos, Juventusit. /Sport Ekspres/