Të njëjtat polemika në Kosovë si në Superiore, presidenti i Mezanit u mbyll gojën: Na kritikojnë këta që stërviten 2 herë në ditë

Florim Zuka është presidenti i klubit të Gjilanit në Kosovë dhe një person për t’u marrë shembull. Sapo mbërriti Gentian Mezani në skuadër i la teknikut shqiptar dorë të lirë, për të bërë atë që dinte më mirë.

Një ndërtim i ekipit nga e para, ndërsa u morën edhe shumë lojtarë nga Superiorja. Në pjesën më të madhe të rasteve e gjithë puna funksiononte në këtë mënyrë: “Ti jep emrin dhe shënoje në listë dhe ne ta sjellim këtu”.

Jo më kot, pasi bëhej fjalë për Gentian Mezanin, për një trajner që të gjithë ia njohim aftësitë. Dhe trajneri nuk do të zhgënjente, teksa Gjilani është ende në vallen e titullit. Në ditët e fundit në Kosovë ka të njëjtat polemika ashtu si edhe në Shqipëri, për ekipet që stërviten fshehurazi. Por ironia e Zukës në intervistën e dhënë për “RajoniPress” u mbyll gojën të gjithëve, teksa shprehet se ata persona dhe klube që kritikojnë për gjëra të tilla, janë po ata që stërviten nga dy herë në ditë.

“Ky është turp i llojit të vet të na akuzojnë pa pasur aspak ndërgjegje se futbollistët e Gjilanit në grupe po ushtrojnë, kjo është plotësisht e pa vërtet, por po ju them se pikërisht ato klube që po na akuzojnë ato janë duke bërë stërvitje pa ndërprerë, e disa klube edhe nga dy herë në ditë por nuk e kam problem, për mua tërë ditën le të ushtrojnë ajo është në ndërgjegjen e tyre.

Ne si klub që nga fillimi kemi respektuar vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe urdhërat e FFK-së, por këto akuza në drejtim të klubit SC Gjilani, disa individ po e shfrytëzojnë për marketing vetëm për të dal në gazeta, TV e portale të ndryshme, por është problemi i tyre, ne nuk merremi me njerëz që nuk ja dëshirojnë të mirën as shtetit e as futbollit”, tha Zuka. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *