“Të huajve u janë plotësuar të gjitha dhe Partizani ka vuajtur shumë“, Mehmeti: Demi nuk ndërhyn te trajneri

Dritan Mehmeti ishte i ftuar në studion e emisionit “Ora Sport“ në “Ora TV“, ku ka folur më tepër rreth sezonit të tij në krye të Partizanit. Trajneri i të kuqve, është shprehur se humbja e fundit në derbi kundër Tiranës i ka dhembur më shumë se sa ai eliminim në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë nga Vllaznia për vetë rivalitetin që ekziston mes dy skuadrave. Mehmeti ka treguar edhe raportin e tij me presidentin Demi, të cilin e veçon për faktin se nuk ndërhyn asnjëherë në detyrat e trajnerit. Në fund ka vlerësuar maksimalisht edhe tifozerinë e Partizanit, duke mos harruar faktin se i kanë qendruar pranë klubit edhe në momentet e tij më të vështira, madje duke mbledhur edhe të ardhura për të.

Më i dhimbshëm eliminimi nga Kupa apo humbja në derbi? “Kanë qenë të dyja momente të vështira, por humbja në derbi na ka dhembur më shumë, sepse është një ndeshje që e përjetojmë shumë në aspektin psikologjik. Sidomos kur e humbet një derbi është e vështirë të vazhdosh më tej. Për sa i përket eliminimit në gjysmëfinale me Vllazninë, e kam ndjerë shumë atë eliminim. Ndeshjen duhet ta kishim zgjidhur. Duhet të kishim mbyllur ndeshjen. Për sa i përket 11 metërshave, është gjendje emocionale. E kanë humbur edhe lojtarë të mëdhenj“.

Trajnerët e huaj: “Kam qenë gjatë gjithë kohës promotor i shkollës së trajningut shqiptar, sepse me të vërtetë unë duhet ta respektoj një kur vjen nga jashtë, por kam mësuar nga gabimet që kanë bërë më përpara. Kur dikush vjen nga jashtë, duhet ta respektoj, por kur vjen dikush nga jashtë duhet të bëjë diferencën me trajnerët në Shqipëri. Kjo është arsyeja që një klubi i madh nuk duhet të gabojë në përzgjedhjen e një trajner të huaj apo të një trajneri shqiptar. Duhet pasur para sysh se kur ka ardhur një trajner i huaj, Partizani ka vuajtur shumë. Sepse i ka plotësuar maksimalisht të gjitha dhe pritshmëritë nuk kanë qenë aty duhej“.

Puna me presidentin Demi: “Është një nga presidentët që mund të punosh me qetësi të madhe. Është një nga personat që nuk ndërhyn, sepse pjesa më kryesore është kur presidenti ndërhyn në pjesën teknike. Të plotëson të gjitha kushtet. Është shumë altruist dhe të lë të bësh punën tënde”.

Tifozët: “Jam prej kohësh aty. Ata e njohin klubin me detaje. Ata e duan më shumë se kushdo Partizanin. Unë i përshëndes gjithmonë dhe në këtë rast i falenderoj për mbështetjen që bëjnë për klubin. Janë një nga tifozeritë më të mrekullueshme për arsyen se kur ka qenë Partizani në ditët më të vështira, qendruan dhe mblodhën lekë. Nuk duhet ta harrojmë atë që kanë bërë për klubin. Ata e duan pa interes“, ka deklaruar Dritan Mehmeti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *