“Do të jetë si në shtëpi”! Kështu tha Alban Bushi kur Thomas Strakosha kaloi te AEK, megjithatë portieri shqiptar nuk po e ndien shumë ambientin e shtëpisë. Përkundrazi, jemi ende në ndeshjet e para të tij me fanellën e AEK dhe situata ka mbërritur në një pikë shumë të ndërlikuar.
Në ndeshjen e fundit në Europë, AEK humbi në shifrat 3-1 ndaj armenëve të Noah. Strakosha ishte përgjegjës për dy gola të pësuar, por goli i shënuar nga portieri i Noah, nga porta në portë, është padyshim makthi i Strakoshës.
Kaq mjaftoi dhe tifozët grekë nuk e kursyen aspak portierin e Shqipërisë duke e sulmuar me komente nga më të ndryshmet. Për këtë arsye AEK reagoi duke mbyllur komentet në llogarinë e saj zyrtare në mënyrë që gardiani shqiptar të mos ndikohet shumë nga ambienti, veçanërisht pas dëmtimit të Brignolit për 3 muaj dhe kështu, Strakosha nuk e ka një zëvendësues. /Sport Ekspres/