Të gjithë të dashuruar me Kumbullën, ish-lojtari i Bajernit: Çfarë më habit? Sikur ka 10 vite Serie A mbi supe

Nëse ka një emër që ka mund të quhet surpriza e këtij sezoni në Serie A, atëherë të gjithë bien në një mendje se është Marash Kumbulla. Mbrojtësi shqiptar ka dhuruar paraqitje fantastike me fanellën e Veronës dhe të shumtë janë ata që habiten nga fakti se kjo është eksperienca e tij e parë në elitën e futbollit Italian. Siguria dhe saktësia në fushën e lojës u ka bërë përshtypje të gjithë sportdashësve dhe opinionit sportive, që nuk i kanë kursyer në asnjë moment elozhet në adresë të 20-vjeçarit kuqezi.

Së fundi është edhe ish-mbrojtësi gjerman, Thomas Berthold, ai i cili ngre lart figurën e Kumbullës. Ish-futbollisit i Veronës dhe Bajernit të Mynihut ka folur për klubin Italian, ndërsa është ndalur edhe te futbollisti shqiptar, për të cilin shprehet se duket sikur ka 10 vite në Serie A mbi supet e tij.

“Hellas Verona po bën një kampionat të madh. Është ngjitur së fundi në Serie A dhe po ecën fuqishëm. Luan si një ekip, lojtarët janë shumë të disiplinuar taktikisht dhe mbrojnë mirë. Është ndërtuar në perfeksion. Verona ka elemente për merkato dhe disa madje i ka shitur. Më pëlqen shumë Kumbulla. Çfarë më habit? Është një djalë i ri, i cili luan sikur të kishte 10 vite Serie A mbi shpatullat e tij”, ka thënë Berthold./Halit Delibashi-Sport Ekspres/