“Të gjithë po habiten me ne”! Lojtari i Kroacisë plas keq: Kemi stadiumin më të shëmtuar në Europë, do kujtohemi pas Serbisë

Nga Klaudio Ndreca

Sa i rëndësishëm është një stadium dhe ndërtimi i një shtëpie për Kombëtaren? Në Kroaci e kanë harruar tërësisht vlerën e saj, duke u kënaqur vetëm nga rezultatet që po sjellë futbolli i tyre, i cili në nivelin e klubeve po pëson edhe një rënie në vitin e fundit. Ndërkohë përpara ndeshjes që do të kishin kundër Suedisë, kroatët morën një vlerësim negativ për infrastrukturën e tyre nga ana e teknikut suedez Jane Anderson. “Është i vjetër, i mërzitshëm. Të kthen një hap pas në histori”, ishin fjalët e Anderson kur flitet për stadiumin në “Maksimir”.

Ndërkohë lojtari i njohur i Kroacisë, Lovren, nuk ka zgjedhur që të sulmojë trajnerin kundërshtar, por të flasë vetëm për realitetin. Një shtëpi e bukur kërkohet me patjetër për relaksimin e tifozëve që të mos vuajnë duke ndjekur një përballje, e për të vazhduar më pas me evitimin e komenteve të tilla si në rastin e Anderson që vetëm dëmtojnë imazhin e vendit.

“Të gjitha Kombëtaret janë habitur sesi ne jemi nënkampionët e botës në kushte të tilla. Dy ose tre mijë njerëz ishin ndaj Suedisë në stadiumin më të shëmtuar në Europë. Ata nuk kishin as çadra dhe filloi shiu që të binte. Më shkoi mendja menjëherë tek secili prej tyre dhe t’u shtrëngoja dorën që po qëndronin. Është e papranueshme për një Kombëtare si e jona që e ka dërguar Kroacinë shumë larg, të vijë këtu dhe të dëgjojë fyerjet me të drejtë nga trajneri suedez.

Padyshim që në këtë vend përparësit nuk janë të drejta. Të bësh teleferik është e parëndësishme. Së pari le të ndërtojnë spitale, kopshte dhe shkolla, por më pas të ndërtojnë edhe një stadium. Nuk po e kërkojmë për veten tonë, por për njerëzit që vijnë për të na parë. Unë them se ne do të zgjohemi kur Serbia të ndërtojë ndonjë stadium kombëtar”, u shpreh Lovren. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *