Të gjithë fajësojnë Zlatan Ibrahimovic! Gazetari në Itali: Më fajtor se Fonseka ishin drejtuesit, por si gjithmonë, më e lehtë të heqësh trajnerin

Në mesin e ndeshjes mes Milanit dhe Romës, mediat italiane zyrtarizuan shkarkimin e Fonsekës dhe zyrtarizimin e trajnerit të ri. Ndërkohë menjëherë pas barazimit 1-1, gjithçka u konfirmua edhe nga vetë Fonseka. Në fillim kur doli në konferencën për shtyp trajneri nuk i komentoi zërat, por pas bisedës së bërë me drejtuesit, njoftoi për shkarkimin e tij nga puna.

Ndërkohë të gjitha kritikat në Itali po shkojnë vetëm për Zlatan Ibrahimovic. Njeriu me “rol të papërcaktuar drejtuesi”, kështu komentohet legjenda e futbollit që duket se nuk po mban të njëjtën lartësi në postin e drejtuesit. Gazetari italian, Bruno Longhi ka mbajtur të njëjtin linjë mendimi, megjithëse nuk e ka përmendur publikisht emrin e Zlatan. “Të gjithë tifozët që e duan Milanin me zemër do të donin që të shkarkoheshin drejtuesit për paaftësi të dukshme, por do të ishte utopike. Dhe kështu ata që komandojnë marrin zgjidhjen më të lehtë, heqin trajnerin. Trajneri është fajtor, por jo aq sa ata”, shkruan gazetari italian. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/